SPILLE – NJË PLAZHË E QETË MES PYLLIT E DETIT
Shtegtime nëpër Atdhe (LXV)
Shkruan: Berat Luzha
Spilleja është një fshat i vogël, i fshehur diku në bregdetin e Adriatikut, i njohur më shumë për plazhin e bukur dhe pyllin e lartë të pishave përgjatë plazhit. Në Spille është një plazh i veçantë e tradicionalë, i transformuar dhe i rregulluar mirë. Viteve të fundit Spilleja është kthyer në pikë të rëndësishme turistike, ku numri i turistëve, pos këtë vit, është shumëfishuar. Ditëve të plazhit numri i turistëve ka shkuar deri në 20 mijë vetë. Si duket, Spilleja gjithnjë e më shumë po i konkurron apo, më mirë të themi, po ia merr pushuesit Durrësit famëmadh.
Plazhi i Spilles është vetëm 15 km larg rrugës Durrës – Rrogozhinë dhe 20 km nga qyteti i Kavajës. Ky plazh, i shpallur si zonë turistike, është nga më të sigurtit në bregdetin shqiptar. Përgjatë vijës bregdetare dhe në det është vendosur sinjalistika ujore dhe tetë kulla të vrojtimit dhe ku patrullojnë me biçikleta 16 roje plazhi. Detyra e rojeve është siguria e plazhistëve dhe mbledhja e ankesave të tyre. Në çdo 200 metra janë vendosur dushe publike. Gjithashtu autoritetet zyrtare kanë marrë masa për lirimin e hapësirave në plazh, dikur të uzurpuara nga subjektet private.
Uji i detit është i pastër dhe rëra është e butë. Rëra e plazhit, pos qetësuese, është edhe shëruese. Më shumë se zhurma nga njeriu, këtu ndihet zhurma e dallgëve të detit dhe zhurma e erës kur përplaset në pyllin me pisha.
Bashkia e Rrogozhinës ka investuar në përmirësimin e kushteve për pushim, në ndërtimin e rrugëve, në pastrimin e mjedisit, në rritjen e luleve dhe në sistemimin e plazhit, kurse çmimet pothuaj kanë mbetur të njëjta, të përballueshme për xhepin e pushuesve. Duke iu falënderuar kushteve natyrore, rërës së butë dhe detit të ngrohtë, sezoni turistik në Spille zgjatë që nga maji deri në shtator.
Sipërfaqja e plazhit me rërë është mjaft e madhe; rreth katër kilometra e gjatë dhe 100 deri 150 m. e gjerë. Spilleja i ka shpëtuar kaosit të ndërtimeve të egra mbi rërën e plazhit dhe është mbrojtur shumë mirë edhe masivi i pishave. Është nga plazhet e paktë, ndoshta i vetmi në Shqipëri, ku dora e njeriut nuk e preu asnjë pishë. Pylli me pisha mbeti një atraksion tjetër, një pasuri e paçmuar, çfarë nuk kanë mbetur nëpër plazhet tjera. Më shumë se çdokund tjetër, plazhi është i paprekur nga dora e njeriut. Edhe ato objekte që ishin ndërtuar ndër vite, janë hequr nga faqja e plazhit. Megjithatë, nuk mungojnë objektet hoteliere, baret dhe bujtinat, të cilat janë ndërtuar prapa plazhit dhe prapa pyllit me pisha. Secila shtëpi e fshatit të vogël është një bujtinë që lirohet për turistë.
Gjatë qëndrimit në Spille mund të vizitohen edhe plazhe tjera të afërme e monumente natyre, si është Plazhi i Gjeneralit, Plazhi i Carrinës, Faleza e Bardhorit – monument natyre, Gjiri i Forsilukut, kështjella e Bashtovës e shek. XV, grykëderdhja e lumit Shkumbin etj. Bota nënujore është e pasur me peshq të ndryshëm, me alga të shumëllojshme, me kërminj, oktapodë, gafore, leshterikë, si dhe me breshkën e veçantë të detit.
Është kënaqësi e veçantë të pushosh mes pishave të dendura e të larta, aty ku dielli nuk depërton në tokë. Shezlonet mund të jenë të panevojshme, kur ke pyllin pranë dhe ke ajrin e freskët në të, kur ke tërë atë gjelbërim dhe atë ngrohtësi të rërës së pafund. Natyra, ushqimi, vendosja garantojnë qëndrim të qetë e të pa probleme. Prandaj, plazhi i Spillesë është më i ndryshëm, më i veçantë nga plazhet tjera të Shqipërisë. Është edhe më i sigurt ndaj virusit Korona.