Spitali i Gjakovës ndërpreu punën në sallat e operacioneve, reagon ShSKUK-ja
Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës ka njoftuar se është duke analizuar situatën e fundit në Spitalin e Përgjithshëm “Isa Grezda”, në Gjakovë.
ShSKUK ka bërë me dije se do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, konform kompetencave ligjore që ka, për të ofruar shërbime shëndetësore për qytetarët e rajonit të Gjakovës.
Spitali “Isa Grezda” ka marrë vendim të ndërpresë punën në sallat e operacioneve, përveç rasteve urgjente.
“ShSKUK, e dënon veprimin e të punësuarve të Spitalit, që penguan punën e lirë të gazetarëve dhe medieve, duke garantuar dhe ofruar bashkëpunim të plotë me mediet dhe gazetarët. ShSKUK, nuk ka qenë në dijeni për pengimin e gazetarëve, deri në publikimin e videos nga mediet. Së shpejti do të bëhen publik hapat që do të ndërmerren në Spitalin e Gjakovës”, thuhet në njoftimin e ShSKUK-së.