Spitali i Gjakovës së shpejti bëhet me rezervuar për furnizim me oksigjen të lëngshëm
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), dr. Valbon Krasniqi, i shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, kanë vizituar të dielën spitalin e përgjithshëm në Gjakovë, raporton “Epoka e re”.
Gjatë takimeve në këtë spital, janë njoftuar për punën që po bëhet në përgjithësi në këtë spital, me theks të veçantë, menaxhimin e pandemisë së Covid-19.
Drejtori Krasniqi ka falënderuar menaxhmentin e spitalit dhe gjithë punonjësit shëndetësor për punën, profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar për trajtimin e pacientëve të dyshuar dhe konfirmuar me Covid-19, por edhe sëmundjeve të tjera.
Gjatë vizitës, u inspektuan hapësirat në të cilat po punohet për vendosjen e rezervuarit për furnizim me oksigjen të lëngshëm në këtë spital.
Bazuar në dinamikën e punimeve, ky spital pritet që së shpejti, pas investimeve nga ShSKUK-ja, për herë të parë të ketë rezervuarin për furnizim me oksigjen të lëngshëm.
Drejtori Krasniqi dhe ministri Zemaj, ofruan përkrahje në kërkesat që ka ky spital.
Para disa ditësh, Spitali i Gjakovës ishte pajisur për herë të parë me një aparat modern të CT, donacion nga Ambasada Amerikane.