Spitali i Gjilanit po shkon drejt përfundimit
Komuna e Gjilanit është duke investuar në sektorin e shëndetësisë, kryesisht në infrastrukturë, objekte të reja e renovime dhe në shërbime më të shpejta për gjilanasit.
Në këtë fazë është në përmbyllje projekti i objektit të ri të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), apo Spitalit të Qytetit, projekt të cilin e ka sjellë për gjilanasit Imet Rrahmani, në kohën sa ishte ministër i Shëndetësisë, i cili është jetësua me angazhimin edhe të dr. Fejzulla Berishës.
Me këtë rast, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se arsimi dhe shëndetësia janë prioritete të pandashme dhe për këtë arsye me këtë objekt do të ndikohet në rritjen e shërbimeve shëndetësore dhe njëkohësisht shkarkimin e Spitalit të Përgjithshëm.
“Bëhet fjalë për 5 mijë metra katror, një objekt që do të jetë funksional dhe me një numër shumë të madh të shërbimeve. Është objekt i ri i ndërtuar në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës dhe me mbështetjen e ministrave Imet Rrahmani dhe Armend Zemaj, të cilët i falënderoj që e kanë mbështetur projektin e Komunës së Gjilanit për rritje të efikasitetit, shërbimeve dhe hapësirës në sektorin primar të shëndetësisë. Krahas këtij projekti, e kemi ndërtuar ambullantën në Llashticë, sikurse edhe në të gjitha ambulantat tjera është bërë investimi në infrastrukturë dhe renovime të domosdoshme”, ka theksuar Haziri.