Spitali i Mitrovicës dhe QKMF-ja pranojnë donacion në vlerë prej 75 mijë euro
Afaristi shqiptar nga Gjermania, Bahri Tahiri, në bashkëpunim me doktorin gjerman, prof. dr. hc. Henrich Schantmann, kanë bërë dorëzimin e donacionit me vlerë prej 75 mijë euro për spitalin rajonal “Dr. Sami Haxhibeqiri” dhe Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) “Dr. Nexhat Çuni” në Mitrovicë.
Ky donacion përmban pajisje mjekësore, siç janë shtretër, mbuloja, karroca dhe gjëra të tjera të cilat do të shërbejnë për nevojat e këtyre objekteve spitalore.
Me këtë rast, drejtoresha e Shëndetësisë, Erseka Hasanaj-Barani, ka falënderuar donatorët në fjalë duke e cilësuar si shumë të rëndësishëm këtë donacion, meqenëse sektori i shëndetësisë duhet të këtë gjithmonë prioritet dhe veprimet e tilla janë për t’u përgëzuar.
Gjithashtu ajo ka theksuar se këto pajisje janë shumë të nevojshme për mbarëvajtjen e punës në sektorin e Shëndetësisë.
Po ashtu, një pjesë e këtij donacioni do t’i shpërndahet edhe qytetit të Vushtrrisë, Ferizajt, Prishtinës dhe Suharekës.
/Epoka e re/