Spitali i Prizrenit dhe ai i Gjilanit përfitojnë grante nga Japonia
Në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës është mbajtur të martën ceremonia e nënshkrimit të dy projekteve në kuadër të grantit të ndihmës japoneze për projektet bazë të sigurisë njerëzore (GGP) për vitin fiskal 2023, në prezencën e ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, Keisuke Yamanaka, të ngarkuar me Punë të Përkohshme të Ambasadës së Japonisë në Kosovë dhe drejtorit të përgjithshëm të ShSKUK-së, Elvir Azizi.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka falënderuar shtetin e Japonisë për grantin, duk e vlerësuar si shumë të nevojshëm për dy spitalet e përgjithshme, atë të Prizrenit dhe të Gjilanit.
Ai ka vlerësuar ndihmat e vazhdueshme që po jep shteti i Japonisë për Kosovën, duke shprehur se pajisjet që do të sigurohen do të shërbejnë për trajtim më të mirë për pacientët e këtyre dy rajoneve që mbulojnë numër të madh të banorëve.
Falënderues për grantin e shtetit japonez, u shpreh edhe drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi, i cili pasi ka falënderuar të ngarkuarin me punë të Ambasadës së Japonisë lidhur me grantin, ka theksuar se përdorimi pajisjeve do të sigurojë shëndet më të mirë për qytetarët.
Kontratat e grantit u nënshkruan nga Keisuke Yamanaka, i ngarkuar me Punë të Përkohshme të Ambasadës së Japonisë në Kosovë dhe përfaqësuesit e dy spitaleve të përgjithshme, dr. Arsim Emini, drejtor ekzekutiv i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit dhe dr. Narqize Arëlniu-Hoxhaj, drejtoreshë ekzekutive e Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit.
Në fjalën e tij, Yamanaka ka theksuar se shëndetësia është element themelor i shoqërisë dhe Japonia do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në përpjekjet e saj për të përmirësuar shërbimin shëndetësor për qytetarët e saj.
Vlera totale e projektit është 66,710 euro.
Projekti për Sigurimin e Pajisjeve të Fizioterapisë për Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit, synon përmirësimin e shërbimeve mjekësore të ofruara nga Spitali i Përgjithshëm i Prizrenit përmes ofrimit të kompletit të pajisjeve të fizioterapisë siç janë pajisjet e terapisë me ultratinguj.
Përfituesit e pritshëm janë rreth 3000 pacientë në vit. Vlera totale e projektit është 45,264 euro.