Spitali i ri pediatrik me Kardiokirurgji, por pa staf mjekësor
Spitali pediatrik brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, tashmë ka filluar të ndërtohet. Ky spital është donacion i Emirateve të Bashkuara Arabe, me vlerë 22 milionë euro.
Është thënë se afati për ndërtimin komplet të këtij objekti do të zgjasë 22 muaj.
Brenda këtij spitali, parashihet të ketë edhe Kardiokirurgji të fëmijëve. Një shërbim i tillë mungon në Kosovë.
Në vend janë afro 400 fëmijë në vit që lindin me anomali në zemër. Prej tyre, rreth 200 kanë nevojë për intervenim kirurgjik, shërbim të cilin u duhet ta marrin jashtë vendit.
Por, Ramush Beiqi kardiolog pediatër, i ka thënë “Radios Evropa e Lirë” se Kosova nuk e ka asnjë kardiokirurg për fëmijë. Ai është skeptik se brenda këtij objekti do të mund të ofrohet një shërbim i tillë.
Ai ka shtuar se po që se është paraparë Kardiokirurgjia, tashmë kuadri mjekësor është dashur të jetë në trajnim në mënyrë që një shërbim i tillë të mund të ofrohet.
“Staf për Kardiokirurgji të fëmijëve nuk ka në Kosovë. Duhet të shkojnë në trajnime pasi kemi kardiokirurg adut, por që duhet të shkojnë në avancim, pasi është lëmi specifike. Kosova pra nuk e ka asnjë kardiokirurg për fëmijë aktualisht”, ka thënë Beiqi.
Në anën tjetër, drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Basri Sejdiu, ka deklaruar se brenda spitalit përpos shërbimeve të tjera, do të ketë edhe Kardiokirurgji për fëmijë, ku me përgatitjen e infrastrukturës së objektit, do të ketë edhe përgatitje të stafit njëkohësisht.
“Po do të jetë edhe Kardiokirurgjia e fëmijëve, pasi e kemi Kardiokirurgjinë për të rritur dhe është duke funksionuar. Ka edhe staf dhe ka profile, por me përgatitje të infrastrukturës do të ketë paralelisht edhe përgatitje të stafit”, ka thënë Sejdiu.
Ndryshe ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Maitha Al Shamsi, ministre e Shtetit nga Emiratet e Bashkuara Arabe patën zyrtarizuar fillimin e planeve për ndërtimin e një qendre pediatrike kirurgjike në Prishtinë. Për ndërtimin e kësaj qendre kanë deklaruar se do të dhurohen 22 milionë euro. Ish-presidentja Jahjaga pati thënë se klinika parashikohet të hapet në verën e vitin 2017. Megjithatë, një gjë e tillë nuk ndodhi.
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka shpjeguar arsyet e vonesave për ndërtimin e spitalit pediatrik.
“Do të ndërtohet një spital pediatrik, i cili do të jetë modern, i cili do të ketë pajisje moderne, do të ketë diku 100 shtretër, 10 mijë metra katrorë, donacion prej mbi 20 milionë euro dhe që është më se i nevojshëm. Kemi mbetur peng për arsye sepse nuk kemi mundur të zhvillojmë plane tjera, e në anën tjetër nuk ka filluar realizimi i projektit”, ka thënë Ismaili.
“Një punë shumë e madhe është përfunduar dhe tani pritet që puna ta merr hovin e vet, të shihet edhe duke u nisur katet e ardhshme”, ka thënë Ismaili.
Derisa ky spital të ndërtohet, shumë fëmijë nga Kosova janë të detyruar të shkojnë në vende tjera, kryesisht në Turqi dhe vende të Bashkimit Evropian, për të kryer operacione në zemër.