Spitali i Stanfordit: As pirja e ujit e as shpëlarja e gojës s’e ndalon koronavirusin
Një mënyrë e thjeshtë e testimit për koronavirus, e cila po qarkullon më të madhe në rrjetet sociale, është kundërshtuar nga mjekët. Në një postim që duket se është shkruar në aplikacionin për shënime në iPhone, thuhet se njerëzit mund ta testojnë veten nëse janë të infektuar me virusin e ri thjesht duke qëndruar pa frymë për më shumë se dhjetë sekonda. Aty thuhet se nëse dikush mund të qëndrojë pa frymë brenda kësaj periudhe pa u kollitur, ai ose ajo nuk e ka koronavirusin.
Postimi që ka filluar të qarkullojë në “Twitter”, “Facebook” dhe nëpër adresa elektronike javën e kaluar, e citon në mënyrë të rreme një anëtar të bordit të Spitalit të Stanfordit. Sidoqoftë, zëdhënësja e këtij spitali, Lisa Kim, i tha televizionit CNN se një metodë e tillë është e rrezikshme dhe nuk është rekomanduar nga mjekët e spitalit në fjalë.
Për t’i demaskuar të gjitha informatat e rreme në këtë postin, televizioni CNN bisedoi me Dr. Robert Legare Atmar, specialist i sëmundjeve ngjitëse në kolegjin e mjekësisë Baylor.
“Kur dikush ka infeksion akut, mund ta kenë të vështirë frymëmarrjen e thellë dhe të mos kollitet, sepse rrugët e frymëmarrjes janë të irrituara. Kjo është e tëra. Por kjo nuk tregon asgjë për fibrozat, ndonëse njerëzit me fibroza mund të kenë vështirësi për ta bërë këtë. Aftësia për ta mbajtur frymën për më shumë se dhjetë sekonda nuk nënkupton që dikush nuk është i infektuar me koronavirus”, tha infektologu.
Ai gjithashtu i mohoi disa të dhëna të tjera që janë shkruar në këtë postim, duke thënë se pirja e shumtë e ujit apo shpëlarja e gojës me ujë me kripë nuk janë metoda efektive për mbrojtje nga koronavirusi, siç pretendohet.