Spitalit të Gjilanit i mungon oksigjeni: Zemaj po bën selfie, Haziri gjumë
Spitali Rajonal i Gjilanit ka kritikuar ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe kryetarin e Gjilanit, Lutfi Haziri, për mungesë të oksigjenit në këtë spital, raporton “Epoka e re”.
Në një shkrim të publikuar në llogarinë e këtij spitali në “Facebook”, shkruhet se Zemaj po e premton zgjidhjen e këtij problemi vetëm sa për selfie dhe konsum ditor, kurse për Hazirin thotë se ka rënë në gjumë dimëror.
“Në mungesë të oksigjenit ka pacientë që detyrohen të kërkojnë ndihmë në Prishtinë. Nysret Hajrullahu thotë se ka vështirësi në furnizim me oksigjen. Armend Zemaj vetëm sa për selfije dhe konsum ditor po premton zgjidhjen e këtij problemi. Lutfi Haziri ka ra në gjumë dimëror”, kanë shkruar zyrtarë të këtij spitali.
Dy pacientë të infektuar me koronavirus, të cilët kanë qenë të shtrirë në Spitalin e Gjilanit, janë transferuar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për shkak të mungesës së oksigjenit.