Spiujtë e dyfishtë, dukuri normale të shërbimet informative dhe kundërinformative!
Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA
As Fatmir Sheholli nuk bën përjashtim: Çdo shërbim i kundërzbulimit sukseset më të mëdha i ka arritur nëse ka pasur sukses në rekrutimin e spiujve kundërshtarë në radhët e veta duke i shndërruar në spiuj me dy identitete. Natyrisht se ky rol është jashtëzakonisht i vështirë për ta luajtur prandaj shumica e tyre, ose janë zënë dhe pushkatuar sikur që ishte rasti i Mata Harit, valltares bukuroshe që u zë dhe u pushkatua.
Pastaj, është rasti i spiunit izraelit, Eli Kohen që u infiltrua në majat e institucioneve të Sirisë duke u propozuar edhe ministër i Mbrojtjes së Sirisë në kohën e armiqësive të mëdha midis Sirisë dhe Izraelit e që e dëmtoi jashtëzakonisht shumë Sirinë deri në kohën kur u kap në flagrancë nga Shërbimi kundërzbulus i Sirisë dhe, përkundër përpjekjeve të mëdha të Izraelit që ofroi kushte të jashtëzakonshme për faljen e tij, në praninë e kryetarit të Sirisë me vajzën (ndonëse ishte i martuar në Izrael) të cilin Eli Kohen donte të martohej, si dhe udhëheqësve më të lartë sirianë, gjithashtu në prani të shumë qytetarëve të Damaskut, në sheshin kryesor u ekzekutua me varje në mesvitin e viteve të ‘60-ta.
Deri më tani, përkundër insistimit të Izraelit që të kthehen mbetjet mortore, Siraia nuk ka pranuar t’i kthej. Edhe agjenti i shquar anglez, Kim Filbi, për një kohë të gjatë, si agjent i dyfishtë dërgonte informata në Rusi deri në çastin kur kishte rrezik të zbulohej prandaj, në çastin e fundit iku në Rusi. Falë informatave që ku i dërgonte në Moskë e që këta ia përcillnin Sigurimit të Shtetit në Shqipëri, shumica e grupeve diverzante që bënin përpjekje të hynin në Shqipëri kapeshin posa zbarkonin në bregdetin shqiptar apo lëshoheshin me parashutë në ndonjë vend malor. Pastaj, Ilaz Basna – Ciceroni që mashtroi të tjerët por, së fundi u mashtrua duke e paguar me para të falsifikuara e që përfundoi në mjerim. Spiuni më i rëndësishëm që punoi kundër Rusisë, si agjent i dyfishtë ishte Oleg Gordijevski që furnizonte Londrën me materiale sekrete të Rusisë në një periudhë 10-vjeçare, deri në vitin 1985 duke i shkruar materialet e ndjeshme me ngjyrë të padukshme në veprat e Shekspirit.
Shërbimet e zbulimit dhe kundërzbulimit britanez e kontrabanduan në gepek të automobilit në mënyrë që të shpëtojë nga arrestimi. Ishte dekonspiruar edhe Projekti Manhatan, prodhimi i bombës atomike nga një amerikan që informonte Bashkimin Sovjetik për ecurinë e prodhimit të bombës atomike. Para mijëra vjetëve shtetet armiqësore siguronin informata përmes agjentëve të dyfishtë duke ua rruar kokë që e përdornin për t’i shkruar informatat e nevojshme pas të cilës prisnin t’i rriteshin flokët dhe e dërgonin në mision spiunimi.
Këto lojëra të spiunimit bëheshin midis SHBA-ve dhe Bashkimit Sovjetik, Anglisë dhe Rusisë, Kinës dhe Tajvanit, Izraelit dhe shteteve arabe dhe shteteve tjera që nuk kishin raporte të mira. Bëheshin edhe midis shteteve mike sikur rasti kur Izraeli spiunoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ka shumë e shumë raste tjera. Qendrat kryesore të spiunimit dhe rekrutimit janë ambasadat dhe përfaqësitë diplomatike, konzulare, tregtare, kulturore etj. ku edhe bëhet rekrutimi.
Kohëve të fundit doli një informatë se Fatmir Sheholli paska qenë spiun i LDK-së paraluftës së fundit dhe spiunë i SHIK-ut, pas përfundimit të luftës duke deklaruar se shef e ka pasur Kadri Veselin sikur edhe Latif Gashin dhe Ilmi Reçicen, me të cilët siç thotë Fatmiri, kanë bërë punë të mira për Kosovën. Kush është nga Llapi dhe kush e njehë Fatmir Shehollin e ka të qartë këtë të vërtetë ndryshe, nuk do të kishte teori që Fatmir Sheholli të mbijetoi në Kosovë, pas përfundimit të luftës. Jam i sigurt se Fatmir Sheholli, materialet që i ka konsideruar të ndjeshme dhe të klasifikuara i ka dërguar edhe në ambasadat kryesore të shteteve të huaja në Kosovë. Është një rregull që thotë se: “një herë spiun, gjithmonë spiun dhe se, nëse keni vazhduar apo bërë përpjekje ta mashtroni shërbimin amë që ju ka rekrutuar, pa asnjë dyshim keni përfunduar në arkivol, nëse nuk jeni larguar me kohë apo nuk keni ndryshuar identitetin..”. Keni dëgjuar disa deklarata publike të Fatmir Shehollit ku e sulmon UÇK-në dhe, në veçanti Hashim Thaçin, pas së cilave vazhdoi të jetojë, pa asnjë problem në Kosovë! Krejtësisht normale për një agjent të dyfishtë apo të shumfishtë, për të marrë diçka, duhet të japësh diçka!
Unë nuk shoh asgjë të keqe që Fatmir Sheholli qenka rekrutuar nga SHIK-u, nëse ishte rekrutuar por vetëm kam një dilemë nëse SHIK-u ka pasur kapacitete të mjaftueshme dhe profesionalizëm të marrë informatat e duhura dhe ta mësojë Fatmir Shehollin se si të sillet me shërbimet e zbulimit dhe kundërzbulimit të Serbisë! Fatmir Sheholli ka punuar në fushën e analizës së sistemit informativ të Serbisë që nënkupton se nuk ka qenë spiun i thjeshtë por se ka pasur njohuri të bollshme profesionale. Pas daljes nga burgu në vitin 1990, tërë kohën kam qenë i përcjell nga shërbimi sekret i Serbisë dhe i Kosova Metohisë, pjesë e së cilës ishte Fatmir Sheholli. Pas përfundimit të luftës këtë ma ka vërtetua edhe vet Fatmir Sheholli. Më kujtohet në rast kur Rade Noviçeviq, shef i UDB-së për Llap, pas dalje nga burgu, pasi e kishte rrahur keq patriotin e madh, Xheladin Rekaliu më pyeti nëse në shtëpinë time, në qendër të Podujevës e që ishte përballë dhe në vëzhgim 24 orësh nga sigurimi serb, kanë qenë ndonjëherë Baca Adem Demaçi dhe Ahmet Haxhiu. Iu përgjigja, si nga rrufeja se jo që kanë qenë një herë por kanë qenë me dhjetëra dhe qindra herë dhe se shtëpia ime ishte edhe shtëpia e tyre. Për këtë nuk më pyeti më asgjë!
Ku është fati që dikur SHIK-u të kishte kapacitet të rekrutojë agjentë të dyfishtë sikur që AKI-ja të mund të rekrutojë agjentë të tillë?! Kjo drejtpërdrejtë ndikon në sigurinë e qytetarëve dhe të vendit.
Në fund të fundit, çdo shërbim i zbulimit dhe kundërzbulimit e ka këtë qëllim. Por, në një mjedis ku edhe pordha politizohet ngrihen dilema të tilla e që e shpërfaq tërë mediokritetin dhe injorancën tonë në këtë fushë, jashtëzakonisht të ndjeshme dhe të rëndësishme për shtetin! Prandaj, asnjëherë nuk e kam injoruar Fatmir Shehollin dhe është fat i madh nëse ai ka dhënë informata të duhura, nëse ka pasur qasje te këto informata të klasifikuara nga Serbia. Po sot, në institucionet e Kosovës, edhe ato më të larta keni individë që kanë bërë shumë më shumë dëme se që ka bërë Fatmir Sheholli, nga hetues policorë që kanë mbytur nën torturë shumë patriotë shqiptarë, prokurorë dhe gjykatës, pronarë të medieve dhe gazetarë, historianë, sportistë dhe artistë dhe shumë profile tjera.
Për fund, njëri ndër hetuesit kryesorë në procesin e montuar politikë kundër ushtarëve shqiptarë në Ilirska Bistricë e që janë dënuar para Gjykatës Ushtarake në Zagreb, ishte shqiptar dhe, pas përfundimit të luftës ka qenë bartës i një posti të lartë institucional, i mbrojtur nga UNMIK-u, sigurimi serb dhe nga disa politikanë shqiptarë. Në atë proces të montuar politikë, pa bërë asgjë ishin dënuar: Hysen Shurdhani, 12 vjet, Zenel Baçaj, 9 vjet, Shefki Barileva 7 vjet, Brahim Mazreku, 6 vjet, Behxhet Sh. Shala, 12 vjet, Isa Jashari dhe Hysen Zymberi nga 5 vjet, Fatmir Ahmeti, 4 vjet dhe Rrahim Rama, 1 vjet!