Spiunët e arrestuar të BIA-s serbe – “Rrjetë e viteve të 90-ta e krijuar në kohën e Radoman Bozhoviqit”

05 qershor 2024 | 18:14

Në Ferizaj janë arrestuar dy persona të dyshuar për spiunazh në bashkëpunim me Agjencinë e Inteligjencës së Sigurisë serbe (BIA).

Njëri nga të arrestuarit është një ish-zyrtar i Doganës, i shkarkuar nga puna në vitin 2004.

I arrestuari për spiunazh ishte zyrtar i Doganës, i shkarkuar nga puna në 2004-ën

Murat Mehmeti, ish-hetues në veri, ka deklaruar në emisionin FIVE se BIA ka pasur struktura operative në Kosovë që nga periudha para luftës.

Sipas tij, këto struktura përfshijnë rrjete të shpërndarjes së dezinformatave, veçanërisht në pjesën veriore të Mitrovicës.

“Kanë strukturë dhe po të njëjtën strukturë e kanë pasur edhe para luftës, po flas prej rrethit më të thjesht të përhapjes së deinzformatave, në pjesën veriore të Mitrovicës kanë ekzistuar kafiteri në të cilën kanë gravituar qytetarët serbë që e flasin gjuhën shqipe e flasin mirë, të punësuar para lufte si kondukter, vozitës, që kanë pasur kontakt me publik dhe të njëjtit çdo mëngjes kanë marrë për detyrë se cilën temë kanë më shpërnda në pjesën veriore, është pjesë e funksionimit, siç u ka thënë sistemi jugosllav, prapë këtë e kanë”, ka deklaruar ai.

Mehmeti ka theksuar se rrjetet e spiunazhit serb kanë qenë aktive edhe gjatë periudhës jugosllave dhe vazhdojnë të funksionojnë në forma të ndryshme edhe sot.

Ai ka ngritur dyshime se ata mund të jenë pjesë e një rrjeti të vjetër spiunazhi të krijuar që në vitet ’90, gjatë kohës së Radoman Bozhoviqit.

“Kjo duhet të tjetër rrjet e vjetër, njëri nga të arrestuarit zyrtar doganor në pozicione të larta, për fundmi duhet t’i dalë koka tek Radoman Buzhoviqi, Mihal Ketezi dhe grupi i Novisadit… Së pari aktivizohet rrjeta që është e provuar, që është e besueshme dhe që ka jep rezultate në të kaluarën, sepse atje kanë mbet dosjet dhe me siguri këtu do të dalë që ka qenë rrjet e vjetër, e viteve të 90-ta e krijuar që në kohën e Radoman Bozhoviqit”, ka deklaruar Mehmeti në emisionin FIVE.

Ndërsa, ish-hetuesi Naser Sopjani, ka thënë se spiunët duhet t’i kërkojmë diku tjetër jo vetëm në veri, sepse “aty ku nuk dyshohet aty duhet të jenë spiunët”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryeinspektori i AKI-së, Shkëlzen Sopjani në një intervistë në T7…