‘Spiunët’ rusë të arrestuar në Shqipëri nuk janë në ‘listën’ e inteligjencës ukrainase
Dy rusët e arrestuar nga autoritetet shqiptare nën akuzën e spiunazhit nuk figurojnë në listën e agjentëve rusë të publikuar nga inteligjenca ukrainase në mars të këtij viti.
Shtetasit rusë, 33-vjeçarja Svitlana Timofeeva dhe 23-vjeçari Mykhailo Zorin, dhe 24-vjeçari ukrainas Fedir Mihailovych thanë në dëshminë e tyre se ata ishin blogerë dhe kryesisht fotografonin territore ushtarake që ishin të braktisura dhe të pa përdorura nga shteti.
Drejtoria kryesore e Inteligjencës në Ministrinë ukrainase të Mbrojtjes (GUR) do të publikonte një listë të agjentëve rusë të FSB-së të përfshirë në aktivitetet kriminale të Rusisë në Evropë.
“Çdo evropian duhet t’i dijë emrat e tyre… Lista me 620 punonjës përmban emra, informacione për vendin e punës, adresat e regjistrimit, detajet e pasaportës”, thuhet në raport.
Një listë e plotë e agjentëve të FSB-së që operojnë në vendet evropiane mund të gjendet këtu.
Në Shqipëri u regjistrua mbrëmjen e 20 gushtit ‘mësymja’ e dytë pas një viti e spiunazhit rus, e cila mbetet ende për t’u konfirmuar pas hetimeve të autoriteteve vendase.
Policia shqiptare konfirmoi zyrtarisht se dy rusët dhe ukrainasi që tentuan të hynin në një fabrikë ushtarake në Gramsh janë arrestuar për spiunazh.
Ata akuzohen për “përpjekje për të marrë informacion të klasifikuar”.
Tre të ndaluarit akuzohen gjithashtu edhe për lëndime trupore ndaj ushtarëve që ruanin objektin.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti me të cilin udhëtonin këta shtetas, pajisje laptop, drone, pajisje celulare dhe sende të tjera, të cilat do të kqyren.
Njëkohësisht bëhet me dije se forcat e rendit kanë dyshime se të arrestuarit janë në të vërtetë spiunë.
Vihet re se ata kanë përdorur Telegram-in për të komunikuar.
‘Defender Europe 21’
Rasti i fundit është ai i të martës së 29 qershorit kur në mediat shqiptare doli njoftimi që dy shtetas rusë, Georg Budanov dhe Vladislav Cherkasov, ishin nën hetim për dyshime të lidhura me spiunazhin rus.
Ata u hetuan nga Prokuroria e Tiranës.
Budanov hyri në Shqipëri më 1 mars, si një biznesmen që kish shprehur interes për investime në Vlorë.
Mirëpo, Budanov-i, qëndroi në Orikum gjatë kohës që po zhvillohej Stërvitja “Defender Europe 21”.
Kjo e fundit, ishte një bashkërendim i forcave ushtarake amerikane dhe atyre shqiptare.
Më datën 10 maj, rusi u dëbua me argumentimin se nuk i përmbushte kushtet e qëndrimit në Shqipëri.
Cherkasov-i ndërkaq, shkeli në Shqipëri më 12 maj, përmes pikës së kalimit në Muriqan.
Ai zotëronte një dron, të cilin nuk ia lanë që ta merrte me vete në Shqipëri.
Tre ditët e tij të qëndrimit, u mbajtën nën vëzhgim. Çdo lëvizje dhe takim i tij, janë referuar në Prokurori.
Vëzhgimet janë kryer nga Antiterrori, ndërsa ai ishte akomoduar në një hotel lukzos në Tiranë, me një mjet të rremë identifikimi.
Më pas, shtetasi rus u zhvendos drejt Durrësit ku qëndroi tre ditë. Ajo që pasoi, ishte largimi i tij nga Shqipëria.
Rusia
Rusia punëson rreth 400 mijë njerëz në tre agjencitë e saj kryesore të inteligjencës.
“Drejtoria kryesore” e Ministrisë së Mbrojtjes – e njohur ende gjerësisht me inicialet e epokës sovjetike si GRU – ka interesa të gjera në çështjet e NATO-s dhe teknologjinë ushtarake, si dhe në përmbysjen dhe sabotimin e qeverive.
FSB-ja është e përqendruar në inteligjencën e brendshme, por “shërbimi i pestë” i saj mbledh informacione të huaja nga Rusia afër jashtë vendit – duke përfshirë Ukrainën.
SVR-ja, pasuesi i drejtorisë së parë kryesore të KGB-së, ka për detyrë vetëm mbledhjen e inteligjencës së huaj.
Zakonisht janë tre lloje agjentësh rus që punojnë në Evropë: agjentë të deklaruar, shpesh duke plotësuar role të tilla si atasheu i mbrojtjes, që punonin për GRU-në; agjentë të padeklaruar, të cilët mund të maskohen nga SVR-ja si pjesë e një delegacioni tregtar; dhe ilegalët, të cilët janë agjentë të fjetur që punojnë thellësisht në fshehtësi.