Sportistët solidarizohen me Shqipërinë

26 nëntor 2019 | 20:35

Sportistët e Kosovës, me vendbanim anembanë botës, janë solidarizuar me Shqipërinë pas tragjedisë që la shumë të vdekur, në mesin e tyre edhe dy shqiptarë nga Kosova. Po ashtu, edhe klube dhe institucione sportive evropiane janë solidarizuar me shtetin shqiptar në këto çaste të vështira.

Shqipëria është goditur nga tërmeti i fuqishëm me magnitudë 6.4 ballë të shkallës Rihter në orën 3:55 të mëngjesit të ditës së martë. Përveç dëmeve të shumta materiale, ka edhe njerëz të vdekur. Në mesin e tyre dy janë të vëllezër nga qyteti i Gjilanit. Pas kësaj tragjedie me shtetin shqiptar është solidarizuar komuniteti sportiv në Kosovë dhe më gjerë. Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka thënë se populli i Kosovës solidarizohet me vëllezërit dhe motrat nga Shqipëria. “Në emrin tim, të KE të FFK-së dhe tërë komunitetit të futbollit në Kosovë u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave dhe bashkëndiejmë me to në këto çaste të vështira. FFK-ja solidarizohet me FSHF-në, klubet e futbollit dhe tërë kombin shqiptar në këtë situatë emergjente dhe do të jetë e gatshme t’i ndihmojë me të gjitha kapacitetet vëllezërit dhe motrat tona në Shqipëri. Lusim Zotin që kjo gjendje të tejkalohet sa më shpejt, njëherësh shprehim gatishmërinë dhe solidaritetin tonë të plotë me popullin dhe institucionet e shtetit shqiptar, kurse për të gjithë të lënduarit urojmë shërim sa më të shpejtë!”, është thënë në letrën e kryetarit Agim Ademi.

Pas kësaj tragjedie ka reaguar edhe grupi i tifozëve të Kosovës, “Dardanët”: “Lutemi për shpirtin e viktimave, për familjet e tyre dhe për të lënduarit nga kjo tragjedi e rëndë. #MetyShqipëri”. Ndërsa në shërbim të të prekurve nga kjo tragjedi janë vënë “Tifozat Kuq e Zi”, të cilët nëpërmjet një njoftimi kanë bërë me dije se janë gati ta japin ndihmën e tyre vullnetare qoftë si pjesë e ushtrisë, Kryqit të Kuq, apo organizatave të tjera simotra që ndihmojnë njerëzit në nevojë.

Duarkryq nuk kanë qëndruar edhe tifozët nga Prishtina “Plisat”, të cilët kanë bërë një organizim me grumbullimin e veshmbathjeve dhe gjërave ushqimore dhe të martën pasdite i kanë dërguar në Shqipëri. Krahas këtyre, edhe tifozëritë e tjera kanë shprehur vullnetin që t’u ndalin në ndihmë personave të prekur nga tërmeti, gjithashtu edhe futbollistët e njohur shqiptarë që luajnë në ligat evropiane, si Milot Rashica, Vedat Muriqi, Mërgim Mavraj, Shkodran Mustafi, Samir Ujkani, Mërgim Vojvoda dhe shumë e shumë futbollistë e sportistë të tjerë. Ndërsa trajneri i xhudos, Driton Kuka, ka thënë se të gjithë duhet të luten që të ketë sa më pak viktima nga tragjedia në shtetin shqiptar. “Të lutemi për Shqipërinë tonë. Për sa më pak viktima nga tërmetet që goditën sot në mëngjes. Me mendje dhe zemër jemi afër familjeve që sot humbën më të dashurit e tyre. Të solidarizohemi për të ndihmuar aty ku ka nevojë, që së bashku t’i përballojmë pasojat e tërmetit fatal”, ka thënë Kuka.

Ndërsa ish-kapiteni i Shqipërisë në futboll, Lorik Cana, ka shkruar: “Zoti qoftë me ne!” Edhe boksieri i famshëm shqiptar, Haxhi Krasniqi, i është bashkuar listës së sportistëve që janë solidarizuar me shtetin shqiptar. “Nuk jemi mirë ne kur nuk është mirë Shqipëria. T’i lutemi Zotit”, ka shkruar boksieri Krasniqi, duke ia përcjellë këtij postimi edhe një fotografi, ku shkruan në gjuhën angleze: “Lutemi për nënën Shqipëri”.

UEFA: Jemi të pikëlluar nga tërmeti në Shqipëri

Për tërmetin në Shqipëri ka reaguar edhe shtëpia e futbollit evropian, UEFA. Përmes një postimi në “Twitter”, UEFA ka shkruar se janë të trishtuar nga tërmeti i sotëm në Shqipëri. “Të gjithë në familjen e futbollit evropian janë thellësisht të pikëlluar nga tërmeti i sotëm në Shqipëri. Mendimet tona janë me familjet dhe miqtë e viktimave dhe të gjithë ata që janë prekur nga kjo”, thuhet në reagimin e UEFA-s.

AC Milan: Lutjet tona janë me vëllezërit dhe motrat në Shqipëri

Edhe skuadra e famshme italiane AC Milan është solidarizuar me Shqipërinë për tërmetin që ndodhi në orët e para të mëngjesit të së martës. “Në këto çaste tragjike lutjet tona janë me vëllezërit dhe motrat në Shqipëri nga tërmeti katastrofal. Qëndroni të fortë”, ka shkruar Milani në llogarinë e vet në “Twitter”.

Tare: Do të bëj gjithçka që është e mundur për ta ndihmuar popullin tim

Drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare, ka reaguar pas tërmetit të fuqishëm që ka goditur Shqipërinë, duke thënë se do të bëjë gjithçka të mundur për t’i ndihmuar bashkëkombësit. “Është një tragjedi që më ka prekur shumë mua dhe familjen time. Tragjedi e madhe. Duket se numri i viktimave është duke shkuar në rritje. Uroj me gjithë zemër të jetë e kundërta”, ka thënë Tare për mediat italiane. Tare, po ashtu, ka shfaqur gatishmëri për të ofruar ndihmë. “Do të bëj gjithçka që është e mundur për ta ndihmuar popullin tim”, ka theksuar ish-sulmuesi i kombëtares shqiptare.

/Veton ZYMBERI/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deri më tani 21 persona kanë humbur jetën, në mesin…