Sportistët, të zhgënjyer me politikën
Mosmiratimi i Ligjit për Sponsorizim nga deputetët e Kuvendit të Kosovës ka shkaktuar shumë pakënaqësi në komunitetin e sportit. Komiteti Olimpik, shumica e federatave sportive si dhe sportistë e ish-sportistë kanë reaguar duke kërkuar që sa më shpejt të korrigjohet ky veprim dhe të miratohet ligji në fjalë pasi, sipas tyre, është jetik për sportin e Kosovës.
Institucionet sportive dhe sportistë të shumë në Kosovë kanë shprehur haptas zhgënjimin me politikën, përkatësisht veprimin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës për mosmiratimin e Ligjit për Sponsorizim. Sportistët assesi nuk po arrijnë të kuptojnë se si deputetët nuk e miratuan ligjin që është jetik për sportin e Kosovës.
Komiteti Olimpik i Kosovës ka reaguar pas mosmiratimit të këtij ligji që, sipas tij, do të krijoheshin edhe qindra vende pune dhe do të ndalej vala e largimit të rinisë nga Kosova. “KOK-u ka mbetur tej mase i habitur se si një amendament që e dërgon përpara zhvillimin e sportit në Kosovë, i cili do të krijonte qindra dhe mijëra vende të reja të punës, do ta ulte shkallën e informalitetit, do ta ndalte valën e largimit të rinisë nga Kosova, nuk gjeti përkrahjen edhe nga deputetët, të cilët, jo rrallëherë, dinë të krenohen me arritjet e sportistëve”, thuhet në reagimin e KOK-ut.
Ndërsa Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës kërkon nga Kuvendi i Kosovës që në seancën e radhës ta votojë amendamentimin e Ligjit për Tatimin e të Ardhurave në Korporata, i cili e mundëson harmonizimin me Ligjin për Sponsorizim, i cili është jetik për zhvillimin e sportit, në veçanti për futbollin. “Ne si KE i FFK-së u bëjmë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që në seancën e radhës të jenë në numër të mjaftueshëm dhe ta kalojnë amendamentimin e këtij ligji, ngaqë kjo do të ishte përkrahja e tyre më e madhe për sportin në këtë periudhë. Në kohën kur sporti ynë po i radhit sukseset e njëpasnjëshme e kur futbolli është bërë ambasadori më i mirë i vendit në botë dhe sukseset e djemve tanë të Përfaqësues po na bëjnë krenarë të gjithëve, është obligim i secilit prej nesh që të jemi të përgjegjshëm dhe të punojmë për ta përkrahur sa më shumë sportin. Sportistët tanë po e bëjnë punën e tyre me krenari e përgjegjësi në çdo arenë. Tani mbetet radha e deputetëve që të dëshmojnë se janë përkrahës të njëmendtë të zhvillimit të sportit, duke e votuar Ligjin në fjalë”, thuhet në reagimin e Federatës së Futbollit.
Një tjetër federatë sportive, Federata e Basketbollit, ka shprehur habinë se si deputetët nuk e miratuan Ligjin për sponsorizim. FBK-ja mbetet e befasuar me reagimin e deputetëve, pasi të njëjtit krenohen me sukseset e sportistëve. “Federata e Basketbollit nuk e ka të qartë se si mundet që një amendament i cili e dërgon përpara zhvillimin e sportit kosovar në përgjithësi, nuk e gjeti përkrahjen edhe nga deputetët, të cilët vazhdimisht krenohen me të arriturat e sportit dhe të sportistëve, pasi që tashmë dihet botërisht se sporti është ambasadori më i mirë i Kosovës në botë dhe janë sportistët ata që po ia përmirësojnë imazhin në vazhdimësi vendit tonë. Me këtë veprim të deputetëve, sporti, përkatësisht basketbolli kosovar, vetëm se e ka bërë një hap prapa, duke marrë parasysh gjendjen financiare në klubet kosovare, ku mungesa e sponsorëve në vitet e fundit është kryekëput e lidhur me mosmiratimin e këtij ligji dhe amendamenti”, thuhet në reagimin e FBK-së.
Një tjetër federatë sportive që po arrin suksese në arenën ndërkombëtare, Federata e Hendbollit, është e indinjuar me sjelljen e deputetëve në prag të Kampionatit Botëror për Juniorë që mbahet në Spanjë. FHK-ja kërkon që urgjentisht të votohet ky ligj që është i domosdoshëm për hendbollin dhe sportin në përgjithësi. “Në kohën kur djemtë tanë janë në vlugun e përgatitjeve për pjesëmarrje historike në Kampionatin Botëror të Juniorëve, sporti në vend mori një goditje të papritur. Në Kuvendin e Kosovës nuk kaloi Ligji për Tatimin e të Ardhurave në Korporata, saktësisht amendamenti që do t’i hapte rrugë aplikimit të Ligjit të Sponsorizimit në Sport, Kulturë e Rini. Aplikimi i Ligjit për Sponsorizim është jetik për hendbollin dhe sportin kosovar në përgjithësi. Në kohën kur po kalojmë barriera të mëdha dhe po shkelim territore të reja falë angazhimit të jashtëzakonshëm, përkrahja nga shteti, por edhe nga sektori privat është me shumë rëndësi për komunitetin tonë. Ndaj kërkojmë nga kuvendarët e nderuar që të shqyrtojnë edhe një herë vendimin që morën dhe kalimin e këtij amendamenti ta kenë prioritet të menjëhershëm”, thuhet e Federatës së Hendbollit. Sipas këtij reagimi, përmes sportit Kosova po arrin suksese të jashtëzakonshme edhe në rrafshin diplomatik, politik dhe të njohjes së shtetit.
Një reagim të ashpër e bëri edhe përzgjedhësi i Kosovës në xhudo, Driton Kuka. Ky i fundit pret suksese të reja nga Lojërat Evropiane, kurse deputetët i porosit t’i lënë anash kauzat politike kur është në pyetje sporti. “Besoj se edhe kësaj radhe do të na gëzojë me medalje nga Lojërat Evropiane në ‘Minsk 2019’. Sporti, përkundër sukseseve në Kuvend, nuk mori përkrahjen e duhur për t’u finalizuar Ligji për Sponsorizim. S’e kemi merituar kështu aspak. Ju që s’e votuat duhet të flisni publikisht për arsyet e juaja, nëse keni arsye të qëndrueshme, ne jemi gati të ulemi e ta diskutojmë, por lërini kauzat politike kur është në pyetje sporti. Kryefjala e shtetësisë së Kosovës është sporti. E dini ju të gjithë kur takoheni me politikanë të huaj me çka lavdëroheni më së shumti”, ka shtuar Kuka.
Në lidhje me këtë veprim të deputetëve kanë reaguar edhe federatat e tjera sportive, trajnerë, sportistë dhe ish-sportistë.
Gashi bën thirrje për amendamentimin dhe zbatimin e Ligjit për sponsorizime
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Kujtim Gashi, u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që ta votojnë amendamentin i cili avancon fushën e kulturës, të rinisë dhe të sportit, duke rritur krijimtarinë dhe cilësinë. “Ministria jonë, përpos që ka themeluar komisionin për vlerësimin e vërtetimeve për sponsorim, tashmë ka përfunduar të gjitha procedurat dhe ka vërtetuar disa sponsorime të cilat deri më tani nuk po arrijmë t’i zbatojmë për shkak të zhargitjes së institucioneve financiare, në këtë rast Administratës Tatimore të Kosovës”, ka thënë ministri Gashi. “Është e pakuptueshme përse po ndodh kjo bllokadë. Mbështetja e sportistëve dhe artistëve nuk bëhet vetëm duke qëndruar në tribuna, salla sportive e të kulturës si spektatorë, por duke krijuar mundësi ligjore dhe financiare për avancimin e tyre”, është shprehur Gashi.
/Veton ZYMBERI/