SPRTK kërkon nga Inspektorati i Punës t’i mbrojë të drejtat e punëtorëve
Kryesia e Sindikatës së Pavarur të RTK-së është takuar sot me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.
Siç njoftohet nga komunikata dërguar mediave, sindikalistët konsideruan si të domosdoshme që në këtë kohë të pandemisë globale, institucionet e vendit të bashkëpunojnë ngushtë me njëra tjetrën, në mënyrë që këtë situatë ta kalojmë me sa më pak pasoja.
“Përfaqësuesit sindikal deklaruan se RTK ka resurse të mjaftueshme profesionale e teknike të cilat me gjithë situatën e jashtëzakonshme, duhet të shfrytëzohen në interes të informimit sa më objektiv të qytetarëve. Sindikalistët kërkuan nga kryeministri Kurti, që mekanizmat ligjorë të cilat funksionojnë në kuadër të Qeverisë, konkretisht Inspektorati i Punës, të jenë më shumë se kurrë në mbrojtje të ligjit të punës dhe të drejtave të punëtorëve të cilat po shkelen nga punëdhënësit edhe në këtë kohë të pandemisë”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, sindikalistët u shprehen të vetëdijshëm për pushtetet e ndara të ekzekutivit dhe të medieve, por megjithatë sipas tyre të punësuarit në medie para se të jenë gazetarë apo kameramanë, ata janë punëtorë dhe ndaj tyre duhet të respektohet ligji i punës.