SPSPK-ja: Ikja e punëtorëve nga Kosova, shqetësuese
Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK) ka thënë se në shumicën e rasteve punëtorëve të sektorit privat vetëm sa po ju rëndohet laku.
Sipas SPSPK-së, mungesa e punëtorëve të sektorit privat në Kosovë është më shumë se shqetësuese, këtë po e bartin në shpinë pronarët e kompanive por jo rrallë herë edhe vetë punëtorët e mbetur në punë, pasi që çdo ikje e punëtorëve nga vendet e tyre të punës, mungesën e tyre po duhet ta mbulojnë punëtorët e mbetur.
“Me çka atyre po u shtohet edhe me shumë barra e punëve në kompani. Po e përsërisim se ikja e punëtorëve është shqetësuese dhe arsyeja kryesore është mostrajtimi i duhur nga pronarët e kompanive dhe lënia anash nga Qeveria e Kosovës për mbrojtjen e dinjitetshme të kësaj kategorie”, është thënë në reagimin e kësaj sindikate.
SPSPK-ja thotë se sot kemi një pagë minimale 170 euro në fuqi. “Nuk kemi marrëveshje kolektive më shumë se pesë vite dhe as që flitet për të, nuk kemi sigurime shëndetësorë, nuk kemi gjykatë të punës, nuk kemi fond social, pra të gjitha këto të premtuara nga qeveritë e kaluara por edhe nga kjo e sotmja”, është theksuar në reagim.
SPSPK-ja ka reaguar edhe për sigurinë në punë, e cila është trumbetuar shumë se do të marrin masat e duhura që mos të ndodhin kaq shumë vdekje në vendet e tyre të punës, por fatkeqësisht kanë mbetur vetëm në kujtesën e individëve dhe jo më shumë.
“Me këto mosveprime po i ndihmoni rinisë që sa më shpejt të ikën aty ku mund ta gjejnë vetën. Mos të harrojmë se ka edhe kompani që punëtorët e vetë i trajton dhe i stimulon komfor ligjeve në fuqi, por fatkeqësisht jo shumë”, është thënë në reagimin e SPSPK-së.