SPSPK-ja: Punëtorët në sektorin privat janë në gjendje të rëndë
Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat në Kosovë (SPSPK) përmes një reagimi për media ka theksuar se gjendja e punëtorëve në sektorin privat është e mjerueshme.
Sipas SPSPK-së, brenda shtatë muajve 13 punëtorë kanë humbur jetën në vendin e tyre të punës, ndërkaq edhe tre të tjerë pas lëndimeve të marra në punë kanë ndërruar jetë.
“Shumë punëtorë të tjerë nga lëndimet që kanë marrë në punë më nuk kanë qenë të aftë për t’u kthyer në vendet e tyre të punës”, është theksuar në reagimin e SPSPK-së.
Kjo sindikatë ka shtuar tutje se si shkak i mos interesimit të institucioneve të vendit për rregulluar të drejtat e punëtorëve, disave ua kanë imponuar rrugën e kurbetit.
“Udhëheqësit tanë shtetërorë një kategori e shtrydhen si limonin që për veti të krijojnë komoditet personal dhe të familjes së tyre. Shkatërruan fuqinë punëtore profesionale, duke ua imponuar atyre rrugën e kurbetit. Përderisa nga viti 2011 e gjerë më sot këta maskarenj pagat e tyre i rriten pesë herë, kurse për ata që derdhin djersën edhe në temperaturë 30 gradë kanë bekuar pagën 130 euro dhe 170 euro. Këtë veprim nuk e bëri as okupatori serb. Në 70 për qind të kompanive tani këta punëtorë janë pa kontrata pune, 90 për qind e atyre që kanë kontrata pune, pushimi i tyre vjetor është vetëm dhjetë ditë. Shumë punëtorë që tani dalin në pension, pronari i kompanisë nuk ka derdhur asnjë metelik në Fondin Pensional të tyre. Do të thotë njëzet vjet pas lufte, lulëzojnë hotelet, blloqet e banesave, ndërtimet e rrugëve që krejt kjo bëhet me djersen e këtyre punëtorëve, pra të këtyre punëtorëve që nuk u respektohet as e drejta elementare që është e sanksionuar me ligj dhe marrëveshjen kolektive”, është thënë në reagimin e SPSPK-së.
Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat në Kosovë ka thënë se qeveritë në vazhdimësi e kanë djegur fuqinë punëtore me paga nënçmuese.
“Ju ja humbët krenarin atyre që të parët rrezikuan familjet e veta duke mos njohur sistemin dhunues të armikut nga vitet e ’90-ta, ju edhe sot po dhunoni këtë kategori të punëtorëve, por mos harroni se edhe ju do të digjeni por fatkeqësisht të fundit”, është theksuar në reagimin e SPSPK-së.
Sipas kësaj sindikate, institucionet e vendit me mekanizmat e tyre nuk e zbatojnë ligjin e punës dhe ligjet tjera që kanë të bëjnë me të drejtat e punëtorëve. “Ju nuk keni ligjin mbi sigurimet shëndetësore, nuk krijuat një fond apo mbështetje financiare për punëtorët që vdiqën në vendet e tyre të punës”, është thënë në reagimin e SPSPK-së.
/Epoka e re/