Sputnik: Teza e ndarjes së Kosovës drejt një pakti Trump-Putin
Edhe pse ambasada ruse ka reaguar fuqishëm pas një shkrimi se propozimi i Hashim Thaçit për korigjim të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë është biseduar nga Trump dhe Putin në Helsinki, portal i Kremlinit jep një version dramatik të variantit që po djeg edhe më shumë politikën në Ballkan në këto ditë të nxehta gushti.
Sputnik ka publikuar një analizë të gjatë ku thekson se “Ndarja e Kosovës do të shkundë dy shtete të tjera në Ballkan, pesë shtete të BE-së dhe disa fuqitë e mëdha botërore”.
Portali i Kremlinit citon një diplomat serb që është tani një nga analistët kryesor të Sputnik-ut.
Zheljko Cvijanoviç thekson se nëse do të ketë një standard të ri për Kosovën, do të ketë ndarje edhe në Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe në Maqedoni. Ç’ka duket hapur se pazari që pritet të mbyllet në shtator në bisedimet finale për Kosovën do të jetë i “rëndë”.
Presidenti Serb Aleksandër Vuçiç, mbajti një konferencë speciale për shtyp, ku deklaroi se “nga bisedimet e reja për Kosovën nuk do të ketë fitore, por të ardhme për Serbinë”.
Vuçiç nuk ka komentuar deklaratat për shkëmbim territoresh por ka kërkuar konsensus. Sipas tij, “dialogu do të jetë konstruktiv dhe nuk ka rrugë tjetër për të zgjidhur këtë çështje”.
Daniel Serwer, profesor në universitetin “Johns Hopkins”, tha për televizionin që mbulon të gjithë hapësirën e ish-Jugosllavisë, N1, se spekulimet në lidhje me ndarjen e Kosovës nuk tërheqin shumë vëmendje në Uashington dhe paralajmëroi se një ndryshim i mundshëm në kufijve të Kosovës hap Kutinë e Pandorës dhe në Ballkanin Perëndimor, por edhe në vende të tjera të botës.
Serwer tha se nëse Serbia dhe Kosova duan të jenë shtete demokratike si dhe anëtarët e BE-së, nuk sheh arsye pse komunitetet pakicë nuk do të qëndrojnë aty ku janë – në kufijtë ekzistues.
“Gjithçka tjetër do të ishte një shkelje të kufijve. Duke vepruar kështu atëherë “diga e Kosovës” do të çahej dhe do të merrte shumë territore më vete”, tha analisti amerikan.
Komentatori i Sputnik-ut, Zeljko Cvijanoviç megjithatë thekson se vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën janë në kriza të rënda dhe ka gjasa që të ndryshojnë qëndrim.
“Por edhe Kina tani nuk po tregohet shumë ortodokse për Kosovën. Madje Turqia ia ka kërkuar hapur njohjen dhe Pekini e Ankaraja po bëhen gjithnjë e më shumë miq të afërt”, thotë Zeljko Cvijanoviç.
Megjithatë shpresohet se Donald Trump nuk do ta miratojë ndarjen e Kosovës.
“Trump nuk mund të thoshte publikisht për momentin se administrata e tij e ka lënë pas dore Kosovën. Pse? Sepse gjithçka filloi në Kosovë.
Trump mund të thotë: ‘le ta mbajmë këtë Kosovë të qetë, sepse ndryshe na çon në probleme të mëtejshme’.
Kjo është vrima e vogël që hap shpresë për Serbinë, se ai do të kërkojë një marrëveshje me presidentin rus Vladimir Putin. Natyrisht, do të ishte graduale, e ngadalshme, do të vazhdonte për disa periudha. Por unë besoj se është e mundur që diçka e tillë të ndodhë”, përfundon Cvijanoviç. /tesheshi