Sqarim për klientët nga operatorët e telekomunikacionit
Operatorët IPKO, ArtMotion, Kujtesa dhe Telkos përmes një njoftimi për media kanë sqaruar klientët e tyre në lidhje me vendimin e Ministrisë së Ekonomisë.
Në vazhdim e gjeni njoftimin e plotë:
Të nderuar klientë,
Urdhri i lëshuar sot më 17 Mars 2020, nga Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Sipërmarrjes dhe Investimeve Strategjike vendos detyrime të caktuara për operatorët e komunikimeve elektronike, të cilat do të bëjmë çdo përpjekje për t’iu përmbajtur aftësive teknike të rrjeteve tona.
Ju lutemi të informoheni që Urdhri i Qeverisë i detyron operatorët të vënë në dispozicion shërbime të pandërprera edhe në rastet e mospagimit vetëm për:
1. Shërbimet emergjente, duke siguruar qasje të pandërprerë institucioneve që ofrojnë shërbime të thirrjeve emergjente, përfshirë këtu komunikimet epidemiologjike me urgjence të skajshme, siç përkufizohen nga OBSH dhe Ministria e Shëndetësisë;
2. Shërbime të mësimdhënies përmes internetit, të organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, dhe
3. Shërbime të tjera përmes internetit që institucionet e Republikës së Kosovës mund t’i vënë në dispozicion të qytetarëve.
Në përputhje më këtë, ju konfirmojmë që numrat ekzistues emergjent tashmë janë të qasshëm për të gjithë përdoruesit e telefonisë fikse e mobile, dhe çfarëdo numri i ri i përcaktuar nga Qeveria do të implementohet nga ana e jonë. Ndërsa, në lidhje me mësimdhënien përmes internetit, posa të marrim informacione nga Ministria e Arsimit dhe Teknologjisë për platformat e krijuara për mësimdhënie në internet, ne do të ofrojmë qasje në të njëjtat platforma/faqe interneti falas.