Sqarohen vëllezërit Rizaj: Aliu e kishte prej mërzisë, kryeministrin e kemi vëlla
Në Deçan është zbuluar sot shtatorja e Beg Rizajt. Kjo u bë në ditën e çlirimit të kësaj komune, që është vendlindja e Rizajt e edhe e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.
Një incident ndodhi teksa po zbulohej shtatorja.
Ishte vëllai i Beg Rizajt, Aliu, ai që nuk dëshironte të lejonte askënd për të zbuluar shtatoren e të vëllait, por dëshironte ta bënte ai vet.
Vëllai tjetër i Beg Rizajt, Hakiu, për “KosovaPress” deklaroi se Aliu ishte i mërzitur për të vëllanë dhe se nuk kanë asnjë problem me kryeministrin e vendit.
“Nuk ka pasur kurrfarë incidenti, ndoshta e ka pasur nga mërzia, ka qenë edhe Aliu në luftë mundet prej mërzie. Jo more, kryeministri është vëlla i joni, familja Haradinaj, Ramushi dhe Dauti janë vëllezër tonë”, ka thënë ai.
Edhe kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj ka thënë se ishte një konflikt në mes vëllezërve Rizaj dhe që kryeministri ka ndërhyrë për të qetësuar situatën.