Gani Dreshaj sqaron se pse u përfshi në përplasjen mes Xhavit Halitit e Arben Gashit
Deputeti i AAK-së, Gani Dreshaj, është sqaruar përmes një postimi në profilin e vet në “Facebook”, për konfliktin që pati me Arben Gashin e LDK-së, pas përplasjes që Gashi pati me Xhavit Halitin e PDK-së, sot në Kuvend.
“Lexova në media shumë tituj bombastik e skenare të ndryshme të ngjarjes që ndodhi sot në parlament. Së pari dua të sqaroj se synimi im si deputet nuk ka qenë kurrë, e nuk do të jetë asnjëherë shfaqja e trimërisë e forcës, por përfaqësimi i denjë si i përzgjedhur i popullit”, ka thënë Gashi.
“Në rastin e sotëm në polemikat mes Xhavit Halitit e Arben Gashit qëllimi im nuk ishte që të qëroi hesape me askënd, por i tregova deputetit Gashi se nuk është e hijshme që të nxisë situata të tilla me fjalorin banal që kohëve të fundit po e shfaqë në parlament dhe më pas të nxisë situata të tilla ndaj deputetit që me moshë mund të jetë baba i tij. Veprimi im nuk ishte për të mbrojtur shokun tim të kamotshëm, Xhavit Halitin, sepse në të njëjtën situatë do të veproja ndaj secilit deputet tjetër në këtë moshë, të çfarëdo partie qoftë”, ka thënë më tej ai.
Dreshaj ka pasur një porosi për Gashin.
“E porosis Arben Gashin që të zgjedhë fjalë më të pjekura në Kuvend sepse këto që po i thotë nuk përfaqësojnë kulturën e familjes së tij, të cilën e njoh mirë. Kërkoj falje nëse dikush mund të jetë ndier keq për këto situata, por qëllimi nuk ka qenë, nuk është e nuk do të jetë kurrë për nxitje të dhunës në parlament”, ka thënë ai.