Sqaron Policia e Kosovës: Na është përvjedhur një gabim teknik në formularin e aplikimit për policë të rinj
Pas paralajmërimit të dy deputetëve të Kuvendit të Kosovës nga komuniteti egjiptian dhe ashkali se do ta braktisin koalicionin qeverisës, në qoftë se brenda 24 orëve nuk korrigjohet konkursi për pranimin e policëve të rinj, në të cilin sipas deputetëve është përjashtuar komuniteti egjiptian dhe ashkali, ka reaguar Policia e Kosovës, e cila thotë se është bërë një lëshim teknik në konkursin e shpallur.
“Policia e Kosovës duke respektuar të drejtën e secilit, për t’u shprehur lirshëm, me qëllim të informimit të drejtë të opinionit dhe mediave publikon këtë sqarim pas postimeve në rrjetet sociale të deputetit Veton Berisha lidhur me reagimin e tij publik për siç thotë ai: ‘përjashtimin e komunitetit Egjiptian/Ashkali nga konkursi për Policinë e Kosovës”.
“Policia e Kosovës si çdo herë tjetër bazuar në ligjet e aplikueshme në vend, procedurat standarde, si dhe me vendosmëri duke zbatuar parimet e mosdiskriminimit për të gjitha komunitetet në RKS, sot me datë 16.04.2018 ka shpall konkursin për zyrtarë policor ku janë specifikuar kriteret për aplikim dhe udhëzimet e nevojshme”, thuhet në sqarimin e Policisë.
Më tej në sqarim thuhet se “Policia e Kosovës në kuadër të saj ka një numër të konsiderueshëm të pjesëtarëve të komunitetit Egjiptian dhe Ashkali të cilët në vazhdimësi kanë kryer dhe po kryejnë me devotshmëri detyrat dhe autorizimet në funksion të zbatimit të ligjit”.
“Prandaj ju garantojmë që edhe në këtë proces sikurse edhe në të kaluarën do të ketë qasje të barabartë të të gjitha komuniteteve bazuar në parimet e patjetërsueshme të mos diskriminimit të asnjë forme”.
“Policia e Kosovës kërkon falje dhe mirëkuptim për gabimin teknik sa i përket aspektit të përpilimit dhe printimit të formularit për aplikim, dhe ju sigurojmë që do të ndërmeren masa të menjëhershme në funksion të përmirësimit të gabimeve teknike, dhe formulari i korrigjuar do të jetë në dispozicion që nga dita e nesërme me përfshirjen edhe të komuniteteve Egjiptian dhe Ashkali”.
“Gjithashtu për të qenë sa më objektive dhe transparente Policia e Kosovës dëshiron po ashtu të ju njoftoj se qysh para shpalljes së këtij konkursi për zyrtarë policor ka zhvilluar fushata në funksion të inkurajimit të femrave dhe komuniteteve për të ju bashkangjitur Policisë duke përfshirë edhe fushatat për inkurajimin e komunitetit Egjiptian dhe Ashkali për të qenë pjesë e jona”, thuhet në kumtesë.