SREBRENICA
11 korrik 2023
| 12:23
Lulëzim ETEMAJ
8372 herë në qafë kur u ther Srebrenica
Asnjë fjalë s‘e nxori prej goje fjala
Iku me kokën ndër duar e më askush s‘e pa
Dikush tha u strehua në një çmendinë
Tjerët thanë është mbyllë me dry
Në ndonjë strehimore antibërthamore Brukseli
Ose në ndonjë faltore
Sytë gjithë përtesë po fërkonte Evropa
Dhe askush s‘kishte një përgjigje të vetme
Kishte përfunduar tashmë a po fillonte ëndrra
Në derë kur i trokitën Çirezi, Likoshani, Meja, Reçaku, Abria…
Në kulm po i luante valle flaka
Në prag të derës i kishte mbërritur gjaku
Dhurata që ia kishte nisur Kalamegdani
Mijëra mote do t‘i lë pas Srebrenica
Dhe prapë boshllëkun që e la atë ditë prapa
S‘do të mund ta mbushë fjala!