Sri Lanka mbetet pa karburant

26 qershor 2022 | 23:39

Sri Lanka ka rritur çmimin e karburantit deri në 22 për qind.

Rritja vjen fill pasi ministri i Energjisë paralajmëroi se praktikisht kishte mbetur pa benzinë dhe naftë pasi disa dërgesa të pritshme u vonuan.

Kanchana Wijesekera u kërkoi falje shoferëve që ngarkesat e naftës që ishin planifikuar javën e kaluar nuk erdhën, ndërsa ato të planifikuara të mbërrinin javën e ardhshme gjithashtu nuk do të arrijnë në Sri Lanka për arsye bankare.

Më herët, Ceylon Petroleum Corporation (CPC) ka njoftuar rritjen e çmimit të naftës që përdoret gjerësisht në transportin publik me 15 për qind për litër. Kurse benzina me 22 për qind.

Sakaq, një delegacion nga Thesari i SHBA-ve dhe Departamenti i Shtetit ka mbërritur për bisedime për të “eksploruar mënyrat më efektive për SHBA-të për të mbështetur vendin në nevojë.

“Teksa Sri Lanka duron disa nga sfidat më të mëdha ekonomike në historinë e vet, përpjekjet tona për të mbështetur rritjen ekonomike dhe për të forcuar institucionet demokratike nuk kanë qenë kurrë më kritike”, ka thënë ambasadorja e SHBA-ve Julie Chung.

Sipas saj, janë akorduar 158.75 milionë dollarë financime të reja në dy javët e fundit për të ndihmuar vendin.

Edhe OKB-ja ka lëshuar një apel urgjent për të mbledhur 47 milionë dollarë për të ushqyer segmentet më të cenueshme të 22 milionë banorëve të ishullit.

Rreth 1.7 milionë kanë nevojë për ndihmë “për shpëtimin e jetës”, sipas OKB-së, me katër nga pesë persona që reduktojnë marrjen e ushqimit për shkak të mungesave dhe çmimeve galopante.

Sri Lanka po përballet me një mungesë serioze të këmbimit valutor për të financuar edhe importet më thelbësore, duke përfshirë ushqimin, karburantin dhe ilaçet.

Vendi po bën thirrje për ndihma ndërkombëtare.

Ministri Wijesekera ka treguar se CPC e drejtuar nga shteti nuk ishte në gjendje të thoshte se kur do të jenë furnizimet me naftë. Korporata kishte mbyllur gjithashtu rafinerinë e saj të vetme për shkak të mungesës së naftës së papërpunuar.

Rafineria e filloi funksionimin në fillim të këtij muaji duke përdorur 90 mijë ton naftë bruto ruse të blerë përmes Coral Energy me bazë në Dubai me kushte kredie dymujore.

Sipas ministrit, furnizimet e pakta të mbetura në vend do të shpërndahen përmes një grushti stacionesh pompimi. Transportit publik dhe prodhimit të energjisë do t’i jepet përparësi, duke u kërkuar shoferëve të mos qëndrojnë në radhë për karburant.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një lajm i mirë për Kosovën ka ardhur nga Orani…