Sri Lankë, mbi 200 të vdekur dhe qindra të plagosur
Është rënduar bilanci i tragjedisë në Sri Lanka, ku tri kisha dhe tri hotele janë goditur nga shpërthime të organizuara, të dielën e pashkëve katolike.
Deri tani autoritetet raportojnë për 207 të vdekur dhe mbi 400 të tjerë të plagosur, që po marrin ndihmën mjekësore në spitalet lokale.
Shpërthimet e kishave thuhet se ndodhën gjatë shërbimeve të Pashkëve dhe në mesin e viktimave mund të ketë edhe turistë të huaj. Imazhet grafike dhe pamjet e ndara në mediet sociale tregojnë shkallën e shkatërrimit pas shpërthimeve vdekjeprurëse të mëngjesit të sotëm.
Një nga shpërthimet ka ndodhur në Kishën e Shën Anthonit në Kochcikade, Colombo, tjetri në Negombo, që është në veri të qytetit dhe i treti ka ndodhur në kishën që ndodhet në Batticaloa.
Tri hotele me pesë yje është thënë se janë goditur nga shpërthimet: “Shangrila”, “Cinnamon Grand” dhe “Kingsbury”.
Kisha e Shën Sebastianit në Katuwapitiya në Negombo ka publikuar fotografi të shkatërrimit brenda kishës në faqen e saj në “Facebook”, duke treguar gjak në pllakat dhe dysheme, dhe kërkoi ndihmë nga publiku.
Kryeministri i Sri Lanka, Ranil Wickremesinghe, do të zhvillojë një takim urgjent pas shpërthimeve, sipas raporteve.