Stabiliteti politik, parakusht për zhvillimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në takimin “Dialogu Strategjik për Ballkanin Perëndimor – takimi i liderëve”, të organizuar nga Forumi Ekonomik Botëror në Gjenevë të Zvicrës, ku ka folur rreth nevojës për të arritur stabilitet politik duke e vlerësuar këtë edhe si çelës për zhvillimin ekonomik të rajonit.
Presidenti Thaçi ka thënë se po punohet për arritjen e një marrëveshjeje paqësore me Serbinë, përmes dialogut në Bruksel.
“Stabiliteti politik prodhon edhe zhvillim ekonomik, prandaj edhe ne po punojmë për arritjen e një marrëveshjeje ndërshtetërore që stabilizon tërë rajonin tonë”, ka thënë ai.
Në Forumin Ekonomik Botëror, presidenti Thaçi ka thënë se është avantazh që të dyja palët janë në favor të arritjes së kësaj marrëveshjeje dhe e tërë bashkësia ndërkombëtare, ShBA-ja dhe BE-ja, e përkrahin arritjen e saj.
“Nuk duhet të paragjykohet rezultati, por të gjithë duhet të jemi unikë në përkrahje të procesit të dialogut Kosovë – Serbi”, është shprehur presidenti Thaçi.
Pjesëmarrësit në këtë takim të mbyllur i përkrahën përpjekjet për të ndërtuar stabilitet politik në Ballkanin Perëndimor, si parakusht edhe për zhvillim, tërheqje të investimeve të huaja dhe rritje ekonomike.
/Epoka e re/