Stadiumi “Fadil Vokrri” pritet të bëhet me 21 mijë ulëse
Kapaciteti i stadiumit të futbollit “Fadil Vokrri” në Prishtinë po planifikohet të rritet edhe për 8 mijë ulëse. Nga rreth 13 mijë sa është aktualisht, arena më moderne në Kosovë do të bëhet me 21 mijë ulëse. Kjo rritje pritet të ndodhë për shkak të kërkesave të mëdha që kishte për bileta, për t’i parë ndeshjet e përfaqësueses së Kosovës.
Rritja është propozuar nga Federata e Futbollit të Kosovës, që tashmë ia ka prezantuar projektin ideor Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Një gjë të tillë e ka konfirmuar për KOHËN, ushtruesi i detyrës së sekretarit të Ministrisë së Sportit, Ibër Alaj. Ai ka deklaruar se janë duke e shqyrtuar propozimin e FFK-së.
“Kemi pranuar një kërkesë nga Federata e Futbollit e Kosovës, lidhur me stadiumin e qytetit në Prishtinë që të rritet kapaciteti i stadiumit dhe të bëhet nga sa ka sot, afro 13 mijë ulëse, në 21 mijë ulëse, duke bërë ridizajnimin e projektit. Federata konsideron se mund t’i sigurojnë edhe disa fonde nga UEFA dhe FIFA, në mënyrë që ne të kemi një stadium në kryeqytet, i cili mund t’i plotësojë kriteret e kategorisë së katërt dhe të bëhet harmonizimi i projektit me atë që është ekzekutuar. Në takimet që kemi pasur me krerët e FFK-së jemi duke shqyrtuar mundësinë se si të bëhet ky projekt i implementueshëm”, tha Alaj.
Ai tregon se do të rrënohen tribunat aktuale në lindje, veri dhe jug për t’u ngritur nga zeroja.
“Në projektin ideor që është prezantuar, duhet të hiqen tribunat aktuale dhe të ndërtohen të rejat dhe të ngrihet në aspektin e shkallëve, nga 12 apo 14 shkallë. Ndërkaq lindja, do të bëhet sikurse perëndimi, do të ngrihet dhe do të mbulohet. Do të ketë edhe rritje të kapacitetit deri në 5 mijë ulëse në lindje”, u shpreh Alaj.
Sipas tij, nuk do të ketë ndërprerje të aktiviteteve sportive gjatë kohës sa do të punohet në stadium.
Alaj konfirmon se në fillim të vitit 2021 mund të nisin punët për zgjerim dhe siguron se MKRS-ja do ta përkrahë fuqishëm projektin.
“Jemi në fazën e diskutimit dhe të vlerësimit se si është forma dhe aspekti procedural që duhet ne të ndjekim, në mënyrë që projekti të jetë i implementueshëm dhe i realizueshëm në plan dinamik afatshkurtër, pasi kërkon një dinamikë, brenda 10 apo 12 muajve të jetë i realizueshëm. Jemi duke e shikuar si mundësi që këtë vit të marrë vlerësimin përfundimtar që në fillim të vitit të ardhshëm të fillojnë procedurat, ndoshta të ridizajnimit të projektit”, deklaroi Ibër Alaj.