Stambolli, metropoli në dy kontinente
Dibran Demaku
Avioni i linjës ajrore Lajpcig – Stamboll sapo kishte lënë pistën e aeroportit dhe si një shigjetë gjigante shpërndante retë e dendura që kishin mbuluar qiellin në janar. Ai ngjitej e ngjitej e prapa linte tokën e retë dhe përqafonte qiellin e kaltër e të ftohtë dimëror. Në ato momente seç më erdhi në mendje një rrëfim i thënë më shumë se tridhjetë e pesë vjet më parë për Stambollin si qytet dhe për detin që ai mban në gji – për detin Marmara. Një profesor yni që kishte vizituar Stambollin dhe kishte parë dhe kishte bërë edhe not në detin Marmara, i magjepsur nga bukuria e tij, na thoshte ne studentëve të tij, se ai ishte deti më i bukur në botë. – Ai det ka një bukuri përrallore! – shprehej profesori ynë. Pas mbarimit të rrëfimit të profesorit tonë për detin Marmara dhe pas përfundimit të krejt ligjëratës së tij, kur po dilnim nga auditorët e fakultetit ku studionim, një nga studentët fliste dhe qeshte: – Mbase profesori ynë në atë udhëtim në Stamboll do ta ketë njohur ndonjë vajzë me të cilën edhe do të ketë bërë plazh në Marmara dhe ai det do t’i jetë dukur më i bukuri në botë!
Avioni vazhdonte fluturimin drejt cakut ku ishte nisur dhe mua më vinin e më shkonin në mendje mendime të ndryshme që kisha lexuar, por edhe kisha dëgjuar për Stambollin. Për një moment seç më erdhi në mendje edhe poezia e njohur “Poçari” e poetit tonë kombëtar Dritëro Agollit e shkruar dekada më parë, e cila bën fjalë pikërisht për Stambollin. Ajo poezi më vonë është bërë këngë, të cilën e kanë kënduar shumë këngëtarë të muzikës dhe këngës shqiptare, por vulën e suksesit të njëmendtë ia ka dhënë këngëtari i mirënjohur Ilir Shaqiri. Nuk di të ketë shqiptar të mos e ketë dëgjuar këtë këngë dhe të mos jetë mallëngjyer me fatin e pafat të poçarit (shqiptar) i cili (për shkaqe që në poezi dhe në këngë nuk janë të njohura) kishte lënë atdheun e vet dhe kishte migruar në Stamboll. Sipas poezisë dhe këngës, ai në Stamboll kishte hapur një lokal në të cilin shiste mallra të ndryshme. Poezia dhe kënga na tregojnë se poeti i njohur kishte hyrë në lokal dhe kishte dashur ta blejë një vazo si dhuratë për ndonjë nga të afërmit në atdhe. Kishte marrë një vazo në dorë dhe duke e shikuar, ajo i kishte rënë nga dora dhe i ishte bërë copë e thërrmijë. Tekstin e mëtejmë të poezisë dhe këngës e dinë të gjithë shqiptarët që e kanë lexuar poezinë apo që kanë dëgjuar këngën, andaj nuk kam nevojë që në këtë shkrim ta rishkruaj të tërin. Poezia dhe kënga tregojnë se poeti dhe shitësi në Stamboll, pas vazos së thyer, rastësisht zbulojnë se që të dy janë shqiptarë.
Nuk e di se sa kohë kisha kaluar në ato mendime për detin Marmara dhe për poezinë e poetit që, mbase, është vetëm një fantazi e tij poetike, por që e tregon fatin e keq të shumë shqiptarëve, që për shkaqe të ndryshme e kanë lënë atdheun dhe bëjnë jetën në vende të huaja, kur ime shoqe më ndërpreu nga ato mendime. Ajo kishte vërejtur se avioni po fluturonte mbi një qytet që nuk kishte të mbaruar. Dritat e shumta të tij e kishin magjepsur dhe ajo më tregonte se kishin kaluar më shumë se njëzet minuta që kur ishin shfaqur ato drita dhe se nuk u shihej fundi. Në ato momente në avion u dëgjua zëri e stjuardesës e cila lajmëroi se pas pak çastesh avioni ynë do të aterrojë në aeroportin “Mustafa Kemail-Ataturku” të Stambollit.
Mëngjesi i ditës së re, i dhjetë janarit në Stamboll, do të vinte i ngrysur e me shi. Megjithatë ne që kishim arritur mbrëmjen e kaluar, do ta vazhdonim programin sipas planit. Pak pas mëngjesit do të vinte shoqëruesi ynë, që na ishte paraqitur në mbrëmjen e kaluar dhe që emrin e kishte Tollga. Ai do të na shoqëronte tërë kohën sa do të qëndronim në Stamboll, në metropolin e dy kontinenteve, i vetmi i tillë në planetin tonë. Tollga e fliste në mënyrë të përkryer gjuhën gjermane saqë, të them të drejtën, ia kisha zili pasi as vetë, edhe pas qëndrimit mbi njëzetvjeçar në shtetin gjerman, nuk e njoh dhe nuk e flas aq rrjedhshëm. Shoqëruesi ynë, Tollga, na tregoi se ditën e parë të qëndrimit tonë në Stamboll do ta kalonim në të ashtuquajturin “Bri i artë”, që në gjuhën gjermane quhej “Goldene Horn”. Në atë “Bri të artë”, që shkëlqimin e artë ia jepnin rrezet e diellit të reflektuara nga sipërfaqja e detit Marmara, dhe që ishte një lloj gjysmishulli, sepse në të tria anët ishte i rrethuar nga ujërat e detit Marmara, ndodheshin disa nga monumentet më të njohura të historisë dhe kulturës së ish-Perandorisë Osmane, të themi të shtetit turk, si pasardhës i perandorisë në fjalë. Do ta vizitonim xhaminë e kaltër e cila ndryshe njihej edhe si Xhamia e Ahmed Pashës, emrin e së cilës e mbante edhe sheshi apo shëtitorja në mes të xhamisë në fjalë dhe asaj me emrin Xhamia Aja Sofia. Sapo hymë në ambientet e xhamisë së kaltër apo ndryshe Xhamisë së Ahmed Pashës dhe Tollga tregoi se si dhe kur ishte ngritur ai objekt shumë i rëndësishëm për historinë dhe kulturën e shtetit turk. Ai tregonte se në kohën kur ishte ndërtuar, arkitekti e kishte projektuar me gjashtë minare, aq sa kishte pasur në atë kohë një objekt i tillë në Arabinë Saudite. Arkitekti e kishte projektuar kësisoj me kërkesën e Sulltanit të kohës në mënyrë që Stambolli të ishte qendra kryesore e fesë islame. Siç shpjegonte Tollga, pothuajse gjatë tërë historisë së saj Perandoria Osmane ishte përpjekur t’ia rrëmbente kurorën e islamizmit Arabisë Saudite. Pas ndërtimit të xhamisë me gjashtë minare në Stamboll, Arabia Saudite e kishte ngritur një xhami tjetër me shtatë minare. Megjithatë, sipas Tollgës, për një kohë kurora, apo siç quhej ndryshe kalifati, si organ suprem i fesë islame për një kohë të caktuar kishte qenë në Stamboll. Një pyetje që ia bëra Tollgës në lidhje me çështjen në fjalë u bë shkas që ai të kuptonte se unë nuk isha gjerman, por se kisha ardhur me një grup vizitorësh nga Gjermania. Kur i thashë se unë jam shqiptar, por që disa vjet jetoj në Gjermani, ai pa një pa dy tha: – “Të kuptova mor arnaut që nuk ishe gjerman, sepse gjermanishten e flet çatra-patra. Me arnautët ne kemi miqësi. Gruaja ime është arnaute. Ajo është me prejardhje arnaute, por nuk e di asnjë fjalë të gjuhës së nënës së vet. Ndërkaq, nëna e saj, po. Ajo edhe sot me plakun në shtëpi flasin në gjuhën e tyre!”
Nga e kanë prejardhjen prindërit e gruas sate, e pyes Tollgën. Ai më përgjigjet: – “Nga arnautllëku. Gjyshërit e saj kanë ardhur nga andej. Kaq di!” përfundon Tollga.
Objekti tjetër historiko-kulturor për vizitë ishte xhamia Ajá Sofija, ballë për ballë me xhaminë e kaltër, të cilat i ndante sheshi apo shëtitorja Ahmed Pasha. Ajá Sofija në fillimet e saj ishte ndërtuar dhe kishte shërbyer si kishë, por pas pushtimit osman të Konstandinopolit ishte shndërruar në xhami dhe për pushtuesit e rinj kishte shërbyer si e tillë, ashtu siç ishte ndryshuar emri i qytetit Konstandinopol në Stamboll. Qyteti i mëparshëm kishte mbajtur emrin e perandorit Konstandin, i cili në fillim kishte menduar që selinë e kishës katolike ta bartte nga Roma në Stamboll. Po kur një pjesë e kishës katolike kishte kundërshtuar, ai e kishte ndarë kishën në dy pjesë, duke e emërtuar një pjesë të saj kishë ortodokse me seli në Konstandinopol (Stamboll). Dhe që nga atëherë selia e kishës ortodokse ndodhet në Stamboll, edhe pse Stambolli i sotëm më shumë identifikohet me fenë islame. Themi kështu duke i pasur parasysh tërë ato xhami në Stamboll (sipas Tollgës) janë mbi tre mijë të tilla në metropolin turk me mbi pesëmbëdhjetë milionë banorë. Dhe, si për ironi të fatit, për ta ilustruar këtë që e cekëm më lart, kryetari i tashëm turk Rexhep Taip Erdogan, që më tepër se si kryetar shteti prezantohet si një islamik i përbetuar, kishte vënë gurin themeltar të xhamisë së re që do të ngrihej në bregun lindor, apo të themi aziatik të Stambollit, e cila xhami do të ishte më e madhja e ndërtuar deri më tash.
Dita e parë e vizitës sonë në Stamboll përfundon me vizitën në tregun e njohur të Stambollit “Kapali-qarshi”, që në gjuhën shqipe do të thotë Treg i mbuluar. Tregu në fjalë, sipas datës që mban në hyrje, është shumë i vjetër në moshë dhe është ngritur para më shumë se gjashtëqind vjetësh. Në tregun në fjalë gjen gjithçka që të duhet dhe që ka krijuar mendja njerëzore, përveç nënës dhe babait. Në një sipërfaqe rreth gjashtëdhjetë mijë metra katrorë, nën kulmin e tregut të mbuluar, ndodheshin mbi katër mijë shitore të ndryshme. Në këtë treg sheh tregtarë nga i gjithë planeti ynë.
Ime shoqe, si e gjithë bota femërore, është e interesuar të blejë ndonjë veshje me shenjë nga Stambolli. Për një kohë të shkurtër kaluam pragun e shumë shitoreve të arit, argjendit, të tekstilit etj. Hymë në një shitore të tekstilit dhe ime shoqe provoi veshje të ndryshme. Duke i veshur e duke i zhveshur, ajo merrte mendimin tim se si i rrinin rrobat. Me shitësin po mundoheshim të merreshim vesh në gjuhën gjermane, të cilën ai e zotëronte pak, por më shumë fliste dhe na shpjegonte në gjuhën angleze, të cilën unë dhe ime shoqe nuk e njohim fare. Shitësi përpiqej t’ia mbushte mendjen time shoqe ta blinte një xhaketë prej lëkure që, sipas tij, ishte shumë e kushtueshme dhe do t’ia jepte për një çmim tepër të arsyeshëm. Megjithatë, nuk merreshim vesh. Kur i flas shqip sime shoqeje: – Nëse të pëlqen merre e mos e zgjat, se nuk po kuptojmë çfarë po thotë ky farë turku!, shitësi, kur dëgjon fjalët e mia, së pari buzëqesh, pastaj flet: – Fol shqip bre vëlla që të të marrë vesh krejt bota!
– Shqiptar je ti?! – e pyes pa një pa dy.
– Ta merr mendja, or vëlla shqiptar, por çfarë tjetër!
– Ne të kujtonim për turk! – shton ime shoqe.
– Nuk është faji juaj! – vazhdon shitësi. Këtu në Stamboll jetojnë njerëz nga e gjithë bota, por meqë Stambolli është qytet i shtetit turk, për ta mendohet e thuhet se janë turq.
Pastaj bisedojmë lirshëm me shitësin, që është shqiptar me emër e me mbiemër (edhe pse, në fakt, emri i tij Nuri dhe mbiemri Muharremi janë emra turq) ai me gjuhë e me gjak është shqiptar. Nga ai mësojmë se prindërit e tij kishin ardhur nga Shkupi dhe se ai, Nuriu, kishte lindur dhe ishte rritur në Shkup. Nga ai mësojmë se në shtëpinë e tyre edhe sot e kësaj dite flitet vetëm në gjuhën shqipe. Nga ai mësuam se familja e tij, falë programeve satelitore, shihte dhe dëgjonte vetëm televizionet e Shqipërisë, të Kosovës e të viseve të tjera etnike shqiptare. Po nga ai mësuam se nusen e kishte nga një fshat i komunës së Kaçanikut. Vetë Nuriu kishte rrugëtuar për në Kaçanik për ta parë dhe për marrë nusen. Nga ai mësuam se shpirti dhe gjaku shqiptar lëvizte ende nëpër dej shqiptarësh në metropolin e madh. Nga ai mësuam se ai ishte pjesë edhe e shumë organizimeve kulturore dhe kombëtare të shqiptarëve në Turqi. Nga ai mësuam dhe morëm premtimin se gjaku dhe gjuha shqipe do të jetojnë e mbijetojnë në metropolin e madh edhe në shekujt që vijnë.
Mëngjesi tjetër i ndriçon Stambollin, detin Marmara dhe Grykën e Bosforit me rreze të argjendta. Gjithandej metropolit ndërtesa klasike dhe moderne. Në rrugë dhe sheshe njerëz të panumërt. Disa shkojnë në punë, disa në shkollë, në treg e ku jo tjetër. Kur kësaj guzhme i shtohen edhe turistët që për çdo minutë derdhen rrugëve të tij, njeriu mëdyshet: Mos Stambolli është qendra e botës!
Shoqëruesi ynë Tollga na njofton se, sipas parashikimeve të meteorologëve, e tërë dita do të jetë me rreze të ngrohta të diellit. Stambolli shfaq tërë bukurinë e tij nën rrezet e diellit, pothuajse pranveror, edhe pse kalendari shënon dimër. Autobusi ynë rrëshqet nëpër rrugët e Stambollit e ne nëpërmes xhamave të tij shohim të kaluarën dhe të sotmen e qytetit. Ato janë të lidhura me njëra-tjetrën dhe jetojnë të pandara. Pas një rrugëtimi rreth gjysmë ore nga hoteli ynë, autobusi ndalet. Shoqëruesi (Tollga) na rrëfen për vendin në të cilin jemi ndalur. Para nesh shihet muri rrethues i lartë dhe një portë e madhe, por e hapur. Porta e ka emrin “Porta e Top Kapisë” që, mbase, në shqip do të mund të përkthehej Porta kryesore. Vërtet është porta kryesore nëpër të cilën njeriu i sotëm kalon dhe hyn në botën dikur të ndaluar sulltanore. Prapa portës së hapur, dikur të mbyllur dhe të ruajtur në mënyrë epike, kanë jetuar ata, sulltanët e famshëm të ish-Perandorisë Osmane. Prapa portës, tash të hapur, e që ne do ta kalojmë pas pak çastesh, kanë jetuar ata që kanë ngritur e rrënuar fate popujsh e kombesh për një periudhë rreth pesëshekullore.
Kalojmë nëpër portën e famshme, ndërkaq sapo shfaqen para nesh parqet dhe ndërtesat ku kanë jetuar ata që kanë drejtuar atë Perandori, mua më vjen ky mendim: – Athua a ka kaluar nëpër këtë portë edhe kryetrimi ynë kombëtar, Skënderbeu? Një mendim më thotë se gjithsesi do të ketë kaluar nëpër atë portë për t’i sjellë Sulltanit të kohës sihariqin e madh të fitores me armën e krahut të tij. Mendimi tjetër ngre krye dhe thotë se kryetrimi ynë nuk ka kaluar kurrë nëpër atë portë. Derisa po mendoja për kryetrimin tonë, shoqëruesi ynë mbaroi rrëfimin për portën kryesore të pallatit sulltanor dhe na ftoi të ecim nëpër parkun e madh nëpër të cilin punëtorë të shumtë mbillnin lule. Shoqëruesi në mes të parkut na rrëfen: – Punëtorët në park po mbjellin lule. A e dini si quhen këto lule?! Pa e pritur përgjigjen tonë, shton: – Këto fara lulesh që po mbjellin punëtorët emrin e kanë tulipan. Prejardhjen e kanë nga Holanda. Për to edhe sot e kësaj dite tregohet një lloj barsolete: Një nga sulltanët e kohës kishte pasur raporte të mira me mbretin e Holandës. Në shenjë miqësie, mbreti i Holandës, nëpërmes të të dërguarve, i kishte dërguar Sulltanit dy fara tulipanësh. Siç e shihni, farat e tulipanëve ngjajnë me qepën. Sulltani ishte habitur kur kishte pranuar dërgesën nga miku. – “Më paska dërguar miku im dy qepë dhuratë!” – kishte qeshur. Megjithatë, duke menduar se miku i tij i kishte dërguar qepë, kishte tentuar që njërën nga kokrrat ta hante. E kishte kafshuar, por nuk i kishte pëlqyer shija. I hidhëruar e kishte hedhur nga dritarja e pallatit kokrrën e plotë dhe atë gjysmën e mbetur. Në pranverë kokrra e plotë kishte çelur tulipanin e njohur. Atëherë Sulltani ishte mrekulluar nga lulja e bukur dhe kishte urdhëruar që brenda oborrit sulltanor të mbilleshin sa më shumë tulipanë. Që nga atëherë për çdo pranverë këtu në ish-parkun sulltanor mbillen mijëra tulipanë! – përfundon tregimin Tollga.
Derisa shëtisnim edhe më tutje në parkun e madh të ish-pallatit mbretëror, mua nuk më shqitet nga mendja se athua do të ketë kaluar nëpër portën kryesore të pallatit sulltanor, kryeheroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Prisja momentin ta pyesja shoqëruesin se a dinte diçka për kryeheroin tonë. Dhe momenti erdhi kur ai na dha një pushim disaminutësh sa për të bërë fotografi. Iu afrova dhe e pyeta: – Ke dëgjuar ti për Skënderbeun? Ai për pak çaste më pa disi si me habi e pastaj shtoi: Për cilin Iskender e ke fjalën, se në Perandorinë Osmane ka pasur shumë Iskenderë?!
– Për Skënderbeun shqiptar! – ia ktheva unë.
– Jo, as nuk kam dëgjuar, as nuk kam mësuar në shkollë për një Iskender të tillë. Por, kam dëgjuar e kam mësuar për shumë Iskenderë të tjerë. Në fakt, sulltani të gjithë gjeneralët më të njohur të ushtrisë perandorake i thërriste Iskender. Iskenderët ishin më trimat. Ata korrnin fitore në beteja. Në Perandorinë Osmane më trimat merrnin emrin Iskender. Edhe vetë Aleksandrin e Madh sulltani e ka thirrur Iskender dhe qytetin Aleksandria edhe sot e kësaj dite e thërrasim Iskenderia.
Kemi lënë ish-pallatin sulltanor dhe në pasditen e së njëjtës ditë kemi hipur në anije për të lundruar nëpër Grykën e Bosforit dhe në detin Marmara. Edhe pasditja lahet nga rrezet e argjendta diellore dhe të dyja anët e qytetit shkëlqejnë nën rrezet e argjendta. Gryka e Bosforit, që ndan dhe lidh dy pjesë të një qyteti, të një Metropoli, ndan dhe lidh dy kontinente. Në të dyja anët e Bosforit, në anën evropiane dhe aziatike të qytetit, shtëpi e ndërtesa madhështore klasike dhe moderne. Ndërtesa të stileve dhe të kohëve të ndryshme, që shënojnë kohën e vet. Ndërtesa private e qeveritare. Ndërtesa varfanjakësh dhe pasanikësh. Shoqëruesi ynë flet e na tregon për shumë nga to. Në anën evropiane të Stambollit, aty mu rrëzë ujit ndodhet edhe pallati i fundit sulltanor që ka funksionuar gjatë shekullit nëntëmbëdhjetë dhe atij njëzet, atëherë kur Mustafa Kemail Ataturku e shpallë Turqinë republikë dhe oborri sulltanor emigron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E shikoj nga anija me përqendrim pallatin sulltanor në bregun perëndimor të Bosforit, që është bregu evropian dhe mendja më shkon tek Ismail Qemali. Athua sa herë ka kaluar nëpër atë pallat sulltanor Ismail Qemali, pyes veten? Edhe për këtë do ta pyes Tollgën sapo të më jepet rasti, e bind veten. Dhe kur më jepet rasti e zhvilloj këtë bisedë me Tollgën: Ju turqit thoni se babai apo themeluesi i Turqisë moderne ishte Mustafa Kemajl Ataturku. Ai pohon me kokë. – Ne themi se ai ka qenë shqiptar! – vazhdoj unë.
Tollga qeshet dhe ma kthen: – Po të ishte shqiptar do ta formonte Shqipërinë dhe nuk kishte se përse ta bënte Turqinë. Duhet të kuptosh një gjë! – shton pastaj: – Nën Perandorinë Osmane kanë jetuar shumë shtete e kombe të ndryshme. Aparati shtetëror perandorak i ka zgjedhur gjithmonë më të mirët dhe i ka afruar rreth vetes, qofshin ata ballkanas apo edhe më larg. Dhe ata kanë punuar për Perandorinë.
– Po për Ismail Qemalin, ke dëgjuar? – e pyes. Dhe i bëj me dije se ka qenë deputet në Parlamentin Osman dhe ka qenë shqiptar. Ai ma kthen se nuk mund t’i njohë të gjithë zyrtarët e Perandorisë Osmane.
– Megjithatë, ai Ismail Qemali te kombi im quhet baba i shtetit shqiptar, ashtu siç quhet te ju Mustafa Kemajli, sepse Ismail Qemali e ka shpëtuar Shqipërinë nga Perandoria Osmane, – i them.
– Sa shumë që merresh me politikë! – ma kthen Tollga.
– Unë merrem edhe me kulturë – ia kthej. Ai qeshet dhe nuk thotë asgjë.
– Ke dëgjuar për Sami Frashërin? – e pyes sërish. Ai ishte hartues i enciklopedisë turke.
– Natyrisht që kam dëgjuar – ma kthen. Sami Shemsedin Frashëri ishte dhe është shumë i rëndësishëm në historinë dhe kulturën turke.
– Edhe ai ishte shqiptar! – ia kthej me njëfarë krenarie.
– Ai edhe mund të ketë qenë shqiptar! – ma kthen dhe vazhdon: – Ai ishte shtetas i Perandorisë Osmane.
– Këtu keni të drejtë – i them.
Para se ta përfundojmë bisedën, e lus të më rrëfejë sinqerisht nëse e kam bezdisur me pyetje. Duke buzëqeshur më thotë: – Përkundrazi. Unë gëzohem kur vizitorët i kundërshtojnë thëniet e mia, se edhe unë mësoj diçka.
Ditën e tretë jemi sërish në autobus. Tollga na tregon se këtë herë do të kalojmë nëpër urën e lartë dyzet metra dhe të gjatë mbi tetëqind metra. Do ta vizitojmë edhe pjesën aziatike të Stambollit.
– Mjaft kemi qëndruar në pjesën evropiane! – thotë ai, i gatshëm t’i përgjigjet çdo pyetje të vizitorëve kureshtarë.
Kur kemi kaluar në pjesën lindore të Grykës së Bosforit, që është pjesa aziatike e qytetit, Tollga na rrëfen për Stambollin si qytet dhe metropol. Jemi rrëzë kështjellës ku kanë qëndruar trupat e ushtrisë osmane para se të hidheshin në pjesën evropiane të Konstandinopolit të atëhershëm dhe ta pushtonin atë. Pjesa evropiane nga ajo aziatike ishte vetëm tetëqind metra larg, por ushtrisë osmane iu deshën muaj dhe vite derisa e pushtoi pjesën evropiane – rrëfen Tollga. Në vendin ku ndodhemi ne, siujdhesa apo “Briri i artë” duket si në shuplakë të dorës. Largësia është shumë e vogël kur mendon tërë atë kohë që u është dashur trupave osmane për ta pushtuar. Gryka e Bosforit dhe Deti Marmara do të kenë qenë pengesa të krijuara nga natyra. Megjithatë, pas shumë përpjekjesh, ushtria osmane kishte depërtuar në pjesën perëndimore të Konstandinopolit dhe e kishte pushtuar. Pas pushtimit ia kishte ndërruar edhe emrin, të cilin ky metropol e bartë edhe sot. Pastaj Tollga na tregon për rritjen dhe zhvillimin e qytetit. Nëse është për t’i besuar, siç thotë ai deri në vitin 1954, Stambolli kishte më pak se pesëqind mijë banorë, që do të thotë më pak se gjysmë milioni. Ndërkaq sot, kur kanë kaluar vetëm gjashtëdhjetë vjet nga ajo kohë, Stambolli numëron 15 milionë banorë. Dhe ai rritet për çdo orë e për çdo ditë. Fjalëve të tij duhet besuar kur i sheh ndërtimet e përfunduara dhe të papërfunduara.
Nëse zgjat një trend i tillë i rritjes së qytetit, nuk do të kalojnë shumë dekada kur ai do të jetë qyteti më i madh në botë. Mbase edhe e meriton një epitet të tillë, se është i vetmi qytet që i ndan dhe i bashkon dy brigje të dy kontinenteve.
Turqi, 2015