Standardet e dyfishta të Rusisë, bllokoi raportin e Dick Martyt për Çeçeninë dhe e nxiti hetimin kundër Kosovës
Në janarin e vitit 2011, me votat e deputetëve në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, arriti të votohej raporti që më vonë çoi deri në krijimin e Gjykatës Speciale për Kosovën.
Raporti i ish-prokurorit zviceran, Dick Marty, përfshinte akuzat se UÇK-ja kishte kryer krime, deri në trafikim organeve.
Asambleja e Këshillit të Evropës kishte nisur procedurat duke krijuar një task-forcë hetimore, ku përgjegjësia iu dha EULEX-it.
Megjithatë, raporte të tilla kjo Asamble kishte miratuar edhe më parë madje hartuar po nga Dick Marty. Por për dallim nga Kosova, hetime të ngjashme nuk pati kurrë.
Senatori zviceran kishte evidentuar shkelje të të drejtave të çeçenëve nga Rusia, përfshirë vrasje, zhdukje e tortura. Madje raportin e votuan edhe deputetët rusë në Asamble, por zbatimi i tij në praktikë asnjëherë nuk u realizua.
Kjo vërtetohet me letrën që në vitin 2010, organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ia dërgoi Këshillit të Evropës.
“Fatkeqësisht, pas miratimit të rezolutës, situata e të drejtave të njeriut në rajon nuk është përmirësuar dhe nuk ka pasur hetime konkrete. Është thelbësore që vrulli i krijuar nga raporti i Dick Marty të mos humbasë dhe të zbatohet në praktikë, thuhej në letrën e organizatës.
Këshilli i Evropës vazhdoi të merrej me shkeljet në zonën që udhëhiqet nga pushteti rus. Në raportin e vitit 2017 të senatorit Michael NcNamara, vërtetohej se krimet atje nuk po hetoheshin, siç ishte kërkuar.
“Njësitet e posaçme hetimore të krijuara për të shqyrtuar rastet ku Gjykata kishte dështuar në hetime, kanë dhënë fare pak rezultate”, shkruhej në raportin tjetër të vitit 2017.
Për këto standard të dyfishta, RTK pyeti edhe Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
“Rezolutat e Asamblesë zbatohen nga organizatat dhe institucionet ndërkombëtare, duke përfshirë gjykatat, dhe shpesh ndiqen nga autoritetet vendëse, në veçanti Parlamentet. Reagimi ndaj teksteve individuale të miratuara, mund të ndryshojë në varësi të faktorëve të ndryshëm”, kanë thënë nga Asambleja.
Arsyetimi tjetër është se në raportin e Martyt për Çeçeninë nuk kërkohet krijim të gjykatës.
“Raporti i z. Marty mbi situatën në Kaukazin e Veriut nuk sugjeroi krijimin e një institucioni/gjykate për të adresuar shkeljet e identifikuara dhe të supozuara të të drejtave të njeriut, sepse këto janë nën juridiksionin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thanë tutje nga kjo Asamble.
Por, kërkesë për të krijuar një Gjykatë, nuk kishte pasur as në raportin për e Martyt për Kosovën. Megjithatë, një gjë e tillë u iniciua nga vetë Asambleja e Këshillit të Evropës.
Në vitin 2014 Clint Williamson kishte publikuar raportin, duke theksuar se kanë gjetur prova për ngritjen e aktakuzave. Por, theksoi se asnjëherë nuk arritën të gjejnë dëshmi për trafikim organesh.
Si rezultat i raportit të Dick Martyt që u iniciua nga deputeti rus Konstantin Kosachev, në vitin 2015 Kosova themeloi Dhomat e Specializuara në Hagë.
Tashmë atje po gjykohen ish-pjesëtarë e udhëheqës të UÇK-së, me akuzat për krime lufte.