Stano: Kosova dhe Serbia ende kanë pikëpamje të ndryshme, shtetet e BE-së po konsultohen për hapat e tjerë
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano, është raportuar se ka deklaruar që pas vizitës së javës së kaluar të emisarit evropian, Miroslav Lajçak në Prishtinë e Beograd është konfirmuar se të dyja palët ende kanë pikëpamje të ndryshme në shumë çështje.
Agjencia serbe e lajmeve “Beta”, ka raportuar se Stano në një deklaratë përbëtë agjenci ka deklaruar se diskutimit ishin shumë të vështira, gjatë vizitës së Lajçakut e emisarit amerikan, Gabriel Escobar, sidomos në Prishtinë.
Ai po ashtu është thënë se ka deklaruar se përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell është informuar për bisedimet, dhe se tani shtetet anëtare të BE-së janë duke u informuar dhe se po vijojnë konsultimet për hapat e ardhshëm.
Vlen të theksohet se kryeministri Albin Kurti të martën ka bërë me dije se ka propozuar një plan me pesë pika për deeskalimin e situatës në veri, çështje të cilën BE-ja se ka komentuar ende.