Stano: Kosova dhe Serbia të kthehen në dialog, masat pas hetimit të plotë
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet t’i kthehen dialogut.
Këtë deklaratë, ai e ka bërë të hënën gjatë një adresimi për gazetarët.
Stano ka thënë se pas hetimeve të plota, BE-ja do të vendos lidhur me masat që do të ndërmerren.
“Kjo është mënyra e vetme e realizueshme për të zgjidhur çështjen e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Stano.
Ai ka theksuar se samiti në Granada ishte një mundësi e mirë për një sërë takimesh, duke konfirmuar se kryediplomati i BE-së, Josep Borrell është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Më tutje, Stano ka thënë se BE-ja pret jo vetëm bashkëpunim të plotë, por edhe të pakushtëzuar nga Serbia.
“Ka mënyra të mjaftueshme se si mund të bashkëpunoni, si mund të kontribuoni për të plotësuar hetim sepse kjo është diçka shumë e rëndë që ka ndodhur më 24 shtator dhe duhet të sqarohet plotësisht sepse do të ketë pasoja. Do të ketë pasoja. Pra duhet hetuar plotësisht”, ka thënë zëdhënësi i BE-së.
Më 24 shtator Serbia ka kryer agresion në Kosovë. Si pasojë e sulmit të armatosur mbi policinë, në Banjskë të Zveçanit është vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.