Stano për Kurtin: Dialogu nuk është të publikosh letra, ai vazhdon të pretendojë shumë gjëra
Sot u mbajt takimi i nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Brukseli. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq përballë përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell shpalosën propozimet e tyre për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit dhe asaj të Brukselit.
Kurti u ankua për dokumentin e vjetër gjashtë muajsh serb që, sipas tij, Përfaqësuesi Special i Brukselit për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, “e ka pranuar”.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka një përgjigje për Kurtin.
“(Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti) vazhdon të pretendojë shumë gjëra. Dialogu nuk është të publikosh letra. Por, është të nxjerrësh rezultate përmes kompromisit”, na thënë Stano për Nacionalen.
Çfarë ndodhi dhe kush çka refuzoi?
Assesi s’kishin se si të ishin më të ndryshme deklarimet e palëve pas përfundimit të takimit të Nivelit të Lartë në Bruksel. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se “kushtëzimet e Serbisë janë shndërruar në qëndrim të emisarëve” ndërsa Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, deklaroi se Kurti refuzoi “propozim-kompromisin” e BE-së që në mënyrë të njëkohshme dhe paralele, të zbatohen aspektet politike të Marrëveshjes Bazike për formalizimin e njohjes “de facto” bashkërisht me themelimin e Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë. Këtë nuk e pranoi Kurti, sipas Borrellit, por edhe sipas Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Kurti mohoi se në rend të parë ka pasur propozim të BE-së, derisa ndërmjetësit i akuzoi se kanë mëveshur kushtëzimet e Serbisë për Asociacionin si pikë të parë nisëse të zbatimit të Marrëveshjes Bazike, gjë që Kurti e përjashtoi si mundësi. Kurti tha se “në tavolinë” ishte veç propozimi i tij, gjë që mbase mund të lë të kuptojë se propozimi i BE-së ka qenë thjesht verbal dhe jo në dokument të formës së shkruar.
Ndërkaq, Borrell, ka krejt tjetër verzion. Tha se kanë kërkuar “që zbatimi të bëhet në paralel: Asociacioni bashkë me aspektet politike të Marrëveshjes Bazike”, por se Kurti “nguli këmbë” që në rend të parë të formalizohet njohja “de facto”.
“Qëllimi ishte që të bëhet diçka për të marrë diçka…ky ishte kompromisi më i mirë që mund të ofronim”, ka thënë Borrell, derisa shtoi edhe se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shohin këtë si “të vetmen mënyrë realiste”.“Fatkeqësisht”, shtoi Borrell, “Kurti nuk ishte në gjendje të lëvize tutje”.
“Kurti inistoi në formalizimin e njohjes de facto. Dhe, më duhet të them që Vuçiqi pranoi propozimin e BE-së. Erdhi fillimisht me propozim të tij, por përfundimisht e pranoi të BE-së”, tha Përfaqësuesi i Lartë i BE-së.
Kurti u shpreh para gazetarëve në Bruksel me një version tjetër, jo këtë të Borrellit. Tha se u vendos “Asociacioni i pari” dhe se kjo gjë “është në kundërshtim me Marrëveshjen Bazike”.
“Është për të ardhur keq që Lajçak e ka pranuar një kushtëzim të tillë e kushtëzimin nga Serbia e ka bërë në cenim të funksionit të tij si lehtësues…E unë s’mund ta pranoja një të tillë duke cenuar Kosovën, kryeministër i së cilës jam”, tha Kurti.
“Edhe ky dokumenti i vjetër që paraqet dokumentin e kushtëzimit që një herë Asociacioni e pastaj shohim, e kemi në dorë e s’kemi qenë në dijeni që ka pasur një të tillë. Ne kemi bërë propozim”, ka deklaruar Kurti.
Kurti tha se ndërmjetësit, “fatkeqësisht”, kanë marrë për qëndrim të tyrin “kushtëzimin e Serbisë”.
“Nuk ka propozim të Beogradit, ka dokument kushtëzues që kur ta lexoni do ta vërtetoni. Nuk mund të ketë kompromis midis kushtëzimin dhe propozimit. E fundit, sot dokument të shkruar me propozim konkret ka sjellë vetëm Kosova. Bashkimi Evropian është aty për të siguruar që propozimet e palëve janë përbrenda frymës dhe formës së BE-së. Ata nuk bëjnë propozime, kujdesen që propozimet e palëve janë të tilla që nuk tejkalojnë kornizën evropiane. Pala serbe nuk ka sjellë propozim, por e ka dërguar një kushtëzim te BE-ja”, ka thënë në fund ai.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se “pranova propozimin e BE-së edhe pse s’ishte lehtë” pro se ishte Kurti “ai që e refuzoi”.
“Është e qartë se Kurti po provon t’i shmanget Asociacionit. Serbia nuk po ia mbath nga obligimet e saj. Por, ne kemi thëmë, si BE-ja, se si duhet të ecin gjërat. Ne edhe e pranuan këtë propozim (të BE-së), pavarësisht faktit se ishte e vështirë. Por, Kurti e refuzoi, dhe kësisoji përfundoi takimi. Mendoj se do t’ua konfirmojnë edhe BE-ja shpejt”, ka thënë Aleksandar Vuçiq.