Stano për masat e mundshme ndaj Serbisë pas sulmit terrorist: BE-ja do t’i presë hetimet para se të marrë një vendim
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano, ka bërë me dije se BE-ja do të presë përfundimin e hetimeve të plota për sulmin terrorist të së dielës në fshatin Banjskë në veri të Kosovës, para se të marrë një vendim dhe konkluzione për çfarëdo mase dhe pasojë, duke mos dashur të komentojë pretendimet se disa shtete anëtare kanë kërkuar vendosjen e masave ndaj Serbisë.
“Nuk është kompetencë ime të jap informacione nga bisedat konfidenciale dhe informacionin për mbledhjen e Komisionit për Politikë dhe Siguri të martën”, ka thënë Stano, shkruan “N1”.
Stano ka theksuar se BE-ja ka thënë edhe më herët se masat e vendosura ndaj Prishtinës mund të zbatohen edhe për Serbinë, dhe kur shtetet anëtare të BE-së të marrin një vendim formal për to, kur dhe cilat masa, për çfarë arsye, do të shpallen publikisht.