Starmer dhe Macron do t’i prezantojnë Trumpit një plan paqeje për Ukrainën

02 mars 2025 | 11:56

Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka thënë se po punon bashkë me presidentin francez, Emmanuel Macron, rreth një plani paqeje për Ukrainën, të cilin do t’ia prezantojë presidentit amerikan, Donald Trump.

Kjo, pas një takimi katastrofik të Trump me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Shtëpinë e Bardhë, ku në sytë e gjithë botës u zhvillua një debat i nxehtë me tone të ashpra, i cili çoi deri në zhbërjen e një marrëveshjeje të dakordësuar për mineralet e rralla.

Starmer tha se pas diskutimeve me Zelenskyn, Trump dhe Macron, ka pasur një marrëveshje që Britania e Madhe, së bashku me Francën, dhe “ndoshta një ose dy të tjerë” do të punojnë me Kievin për të ndaluar luftën. Ai tha se ky plan paqeje do të paraqitet në SHBA.

Starmer shtoi se ai mendon se Trump dëshiron të shohë një paqe të qëndrueshme në Ukrainë, pavarësisht retorikës dhe qëndrimit të tij ndaj Zelenskyt.

“Të gjithë pajtohen me këtë, përveç Putinit”, tha ai për BBC. Me “paqe të qëndrueshme”, Starmer do të thotë një “mbështetje e SHBA-ve”, së bashku me “garancitë e sigurisë” të ofruara nga vendet evropiane dhe një “Ukrainë të fortë” të armatosur me aftësi mbrojtëse për t’i rezistuar pushtimit rus.

Starmer thotë se më e keqja nga të gjitha rezultatet është që Rusia të thyejë kushtet e një marrëveshjeje të rënë dakord për armëpushim.

“Unë jam i qartë se nëse do të ketë një marrëveshje, nëse do të ketë një ndalim të luftimeve, atëherë ajo marrëveshje duhet të mbrohet, sepse më e keqja nga të gjitha rezultatet është se ka një pauzë të përkohshme dhe pastaj vjen përsëri Putin”.

“Kjo ka ndodhur në të kaluarën. Mendoj se është një rrezik real, dhe kjo është arsyeja pse ne duhet të sigurohemi që nëse ka një marrëveshje, ajo është një marrëveshje e qëndrueshme, jo një pauzë e përkohshme”, përmendi ai.

Starmer përmend se nuk i “beson” Vladimir Putinit, duke thënë se presidenti rus do të “vijë sërish” nëse i jepet mundësia. Prandaj lind edhe nevoja kritike për “garanci sigurie”, tha kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar.

Starmer tha se ai i beson të dyve, si Volodymyr Zelenskyt, edhe Donald Trumpit.

Ai u pyet në intervistën për BBC nëse Zelensky “ka bërë ndonjë gjë të gabuar” dhe Starmer tha se nuk e kishte bërë, duke shtuar se presidenti ukrainas i ka shërbyer me guxim vendit të tij si lider i kohës së luftës që nga pushtimi i plotë i Rusisë në shkurt 2022.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një person është plagosur aksidentalisht me armën e axhës së…