
Starmeri “i gatshëm” të dërgojë trupa britanike në Ukrainë
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Sir Keir Starmer, ka thënë se ai është “i gatshëm” për të vënë trupa britanike në terren në Ukrainë për ta ndihmuar garantimin e sigurisë së këtij shteti si pjesë e një marrëveshjeje të paqes.
Britaniku tha se sigurimi i një paqeje të qëndrueshme në Ukrainë është “thelbësor, nëse duam ta frenojmë Putinin nga agresioni i mëtejmë në të ardhmen”, raporton televizioni BBC.
Para se të marrë pjesë në një samit urgjent me udhëheqës të tjerë evropianë në Paris të hënën, Starmer tha se Britania është e përgatitur për të kontribuuar në garancitë e sigurisë për Ukrainën përmes “vendosjes së trupave tona në terren, nëse është e nevojshme”.
“Nuk e them këtë me lehtësi” – shkroi kryeministri britanik në gazetën “Daily Telegraph”. “Unë e ndiej shumë thellësisht përgjegjësinë që vjen me vendosjen potenciale të ushtarëve britanikë në rrugën e lëndimit” – shtoi ai.
“Por çfarëdo roli në ndihmën për ta garantuar sigurinë e Ukrainës është ndihmë për ta garantuar sigurinë e kontinentit tonë dhe sigurinë e këtij vendi” – shkroi më tej majtisti Starmer.