Statovci, opozitës: Jeni peng i historisë së kaluar politike
Liderët opozitarë janë peng i historisë së kaluar politike, ka thënë deputetja e Listës “Guxo”, Jeta Statovci.
Për dallim nga të njëjtit, ajo ka thënë se liderët aktualë shtetërorë janë në një mendje për asociacionin, dialogun dhe tema të tjera.
Sipas saj, pushteti nuk mbështet asociacion me kompetencë ekzekutive, ndërkohë që opozita e sheh si derë fillestare drejt marrëveshjes finale.
Statovci u është përgjigjur edhe kritikave karshi Donika Gërvallës që udhëheq ministrinë e Punëve të Jashtme, për çfarë ka vlerësuar se opozita në disa raste ka retorikën e njëjtë me atë të Beogradit.
“Ne qeverisim me Ministrinë e Punëve te Jashtme, por po ashtu edhe katër liderët e shtetit, përfshirë këtu presidenten, kryeparlamentarin, kryeministrin dhe ministren e Punëve të Jashtme janë në takime të rregullta javore, ku pjesë e diskutimeve janë padyshim edhe zhvillimet në kuadër të politikës se jashtme. Kështu që, ekziston një dakordancë edhe e mira është që lidershipi është njëzëri karshi këtyre temave sensitive që padyshim kërkojnë unitet në kuadër të kësaj teme. E rëndësishme është që për vite me radhë problematike është trajtuar në nivele të ndryshme teknike, shpeshherë me lëkundjet e veta. Tash me përfshirjen e faktorit ndërkombëtar ka filluar të trajtohet në çështje politike. Ne e dimë qe pala kosovare ka pasur një qasje kontruktive karshi kësaj dhe me pranimin fillestar të planit franko-gjerman, pra janë dërguar komentet dhe është konsideruar si një bazë e mirë për diskutim të mëtutjeshëm”.
“Shpeshherë kritikat janë të paqarta, sepse deklaratat e tyre, kemi parë liderë opozitarë të cilët çështjen e Asociacionit e shohin vetëm si një derë fillestare drejt një marrëveshjeje finale. E besa të them të drejtën kjo është një lloj befasie në vete sepse zakonisht opozita tenton të jetë më radikale kur negociohet me një palë tjetër dhe me kërkuese se aq sa mund të ofrojë pozita. E këtë po e shohim edhe në Parlamentin e Serbisë ku janë ende më kërkues në atë se çka mund të ofrohet në tavolinë. Kurse, në disa prej deklaratave të liderëve opozitarë kemi parë që këtë e shohin vetëm si një derë fillestare në kuadër të marrëveshjes finale. E kjo mund të jetë edhe sepse janë peng i historisë së tyre politike dhe nënshkrimeve të 2013-ës dhe 2015-ës.”, ka thënë Statovci për “Kosovapress”.