Statujë bronzi për Majlindën, ministri Gashi falënderon IJF-në
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi e ka përshëndetur vendimin e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos për ta nderuar me statujë bronzi sportisten më të mirë shqiptare, Majlinda Kelmendin.
“Është lajm shumë i mirë, vendimi nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos, për ta nderuar me statujë bronzi ikonën e xhudos kosovare e ndërkombëtare, Majlinda Kelmendi. Si ministër, e mirëpres bashkëpunimin me Majlinda Kelmendin e Driton Kukën si dhe me autoritetet qendrore e lokale për të përcaktuar vendin e përshtatshëm për vendosjen e statujës”, ka thënë Gashi.
Numri një i sportit në Kosovës e ka falënderuar Marius Vizer për ketë vendim dhe njëherit ka përgëzuar Majlinda Kelmendin dhe trajnerin Driton Kuka.
“Dua të falënderoj drejtuesit e IJF-së me në krye Marius Vizer për këtë vendim të qëlluar dhe i përgëzoj Majlindën, Dritonin dhe tërë ekipin e tij për këtë mirënjohje nga IJF-ja, një dëshmi kjo për suksesin, arritjet e traditën tashmë të krijuar të Xhudos në Kosovë”, ka shtuar Gashi.
/Epoka e re/