Status quot janë të paqëndrueshme
Shkruan: Valon Murati
Zhvillimet dramatike të këtyre ditëve në Afganistan, ato të paradokohshmet në Nagorni Karabah, e mbi të gjitha ndryshimet gjeopolitike me forcimin e Kinës dhe rikthimin e Rusisë si aktor global, dëshmojnë një gjë: status quot janë të paqëndrueshme. Duke i lexuar drejt këto zhvillime, në rastin tonë duhet ta kuptojmë se dalja nga një status quo në planin ndërkombëtar dhe të raporteve me Serbinë është e domosdoshme. Nuk ka rrugë tjetër në këtë drejtim veç të kuptuarit se duhet shfrytëzuar dialogun me Serbinë për t’i zgjidhur problemet e mbetura me të, përfshirë çështjen e Kosovës Lindore. Nuk duhet të frikësohemi nga dialogu, por duhet ta shfrytëzojmë atë për të mirën e përgjithshme. Krahas dhe në funksion edhe të dialogut dhe pozicionit tonë duhet forcuar unitetin e brendshëm, funksionalizuar shtetin e Kosovës, sidomos duhet forcuar sundimin e ligjit, duhet rritur koordinimin me Tiranën dhe duhet punuar afër me aleatët tanë. Krejt këto ndryshime gjeopolitike duhet të na bëjnë të vetëdijshëm që si hap të parë duhet konsoliduar shtetin e Kosovës. E si hap të dytë na duhet bashkimi (e jo përçarja) me Shqipërinë, jo vetëm si e drejtë historike por mbi të gjitha në funksion të rritjes së sigurisë dhe të zhvillimit ekonomik në një botë që po ndryshon.