Statusi juridik i Adem dhe Hamëz Jasharit sipas së drejtës ndërkombëtare humanitare: Luftëtarë, vrasja e tyre nuk mund të hetohet

25 maj 2021 | 02:28

Adem dhe Hamëz Jashari, pjesëtarë të një “populli të shtypur” dhe që luftuan kundër “pushtuesit të huaj” për të realizuar të “drejtën e tyre të vetëvendosjes”, ligjërisht e gëzojnë statusin e “luftëtarit”. Si anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ata përfaqësuan “forcat disidente ose grupe të tjera të armatosura” në një konflikt jondërkombëtar, ose ishin të lidhur me një lëvizje çlirimtare lufta për çlirim kombëtar e së cilës njihet si “konflikt ndërkombëtar” në të Drejtën Ndërkombëtare Humanitare

 

Sebahate J. Shala

 

Statusi i luftëtarit në konflikt të brendshëm të armatosur ka qenë subjekt i polemikave për shkak të legjitimitetit të grupeve të armatosura (joshtetërore) dhe pajtueshmërisë së tyre me rregullat dhe zakonet e luftës. Ndonëse Protokollet Shtesë I dhe II (1977) e zgjeruan definicionin e luftëtarit, duke i përfshirë anëtarët e “forcave disidente dhe grupeve tjera të armatosura” në një konflikt me karakter jondërkombëtar, dhe duke i njohur luftërat çlirimtare si konflikte ndërkombëtare dhe luftëtarët e lirisë si luftëtarë, statusi i luftëtarit është i zbatueshëm vetëm në konfliktet e armatosura ndërkombëtare.

Ky artikull diskuton mbi statusin juridik të Adem dhe Hamëz Jasharit si pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në kontekst të së drejtës ndërkombëtare humanitare, dhe duke e sfiduar vendimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës që ta hetojë vrasjen e Adem Jasharit dhe të familjes së tij të gjerë nga Prekazi i Ulët, argumenton se Adem dhe Hamëz Jashari ligjërisht e gëzojnë statusin e luftëtarit, prandaj vrasja e tyre duhet të hiqet nga hetimi.

Të gjithë anëtarët e tjerë të familjes Jashari, përfshirë gratë, fëmijët dhe të moshuarit, pavarësisht prej pjesëmarrjes në armiqësi, duhet të trajtohen si civilë konform Konventës së Katërt të Gjenevës (1949), rrjedhimisht viktima të luftës dhe duhet t’u ofrohet drejtësi. Sidoqoftë, varet nga gjykata, si autoriteti më i lartë i interpretimit të ligjit, që ta përcaktojë statusin juridik të Adem dhe Hamëz Jasharit dhe anëtarëve të familjes Jashari në përputhje me të Drejtën Ndërkombëtare Humanitare.

 

Definicioni mbi luftëtarin: Konventat e Gjenevës dhe Protokollet Shtesë I dhe II

 

Adem Jashari ishte një ndër themeluesit dhe komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i shpallur komandant legjendar në tetor të vitit 1998. Pas luftës, Kuvendi i Kosovës i shpalli të gjithë anëtarët e familjes Jashari dëshmorë të luftës. Libri i kujtimit i Kosovës 1998-2000 (2011), i publikuar nga Qendra për të Drejtën Humanitare (QDH) dhe Qendra për të Drejtën Humanitare në Kosovë (QDHK), i rendit Shaban, Hamëz dhe Adem Jasharin, përfshirë të rinjtë, Besim, Blerim dhe Fitim Jasharin, pjesëtarë të UÇK-së në një listë që nuk e bën dallimin ndërmjet luftëtarëve dhe civilëve, duke ia lënë gjykatës që ta definojë statusin e tyre juridik dhe akteve që çuan në vdekjen e tyre.

Konventa e Tretë e Gjenevës (1949) e kodifikon statusin e luftëtarit duke e barazuar me atë të të burgosurit të luftës, dhe që i përket njërës nga gjashtë kategoritë e mëposhtme: anëtarët e forcave të armatosura të një shteti palë në konflikt; anëtarët e milicive dhe trupave të tjera vullnetare, përfshirë ata të rezistencës së armatosur si palë në konflikt, nëse i përmbushin kriteret e Rregullave të Hagës (1899-1907); pjesëmarrësit e forcave të rregullta të armatosura të rreshtuara pranë një qeverie ose autoriteti; personat që shoqërojnë forcat e armatosura pa qenë anëtarë të tyre; dhe banorët e një territori jo të okupuar të cilët spontanisht i kapin armët për t’iu rezistuar forcave pushtuese. Rregullat e Hagës parashikojnë që “ligjet, të drejtat dhe detyrat e luftës vlejnë jo vetëm për ushtritë, por edhe për milicitë dhe trupat vullnetare”, të përbërë nga luftëtarë dhe joluftëtarë, por vetëm nëse i plotësojnë katër kritere: komandohen nga një person përgjegjës për vartësit e tij; kanë një emblemë fikse dalluese; dalin publikisht me armë; dhe i kryejnë operacionet ushtarake në përputhje me ligjin dhe zakonet e luftës.

Protokolli Shtesë I e zgjeroi definicionin, duke i njohur si luftëtarë pjesëtarët e popujve që luftojnë kundër sundimit kolonial, pushtuesit të huaj dhe regjimeve raciste në ushtrimin e së drejtës së vetëvendosjes, ndërsa Protokolli Shtesë II, teksa e zhvillon dhe e plotëson Nenin 3, i Përbashkët i Konventave të Gjenevës, i përshkruan si luftëtarë edhe anëtarët e “forcave disidente ose grupeve të tjera të armatosura” – në një konflikt të brendshëm të armatosur. Praktika e konflikteve të armatosura jondërkombëtare, siç shpjegon Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK), nuk i definon tutje nocionet e forcave disidente dhe situatën e anëtarëve të grupeve të armatosura opozitare, ndërsa sugjeron se personave të tillë nuk u ofrohet mbrojtje si civilë nëse marrin pjesë drejtpërdrejt në armiqësi.

Prandaj, luftëtari është anëtar i forcave të armatosura, që në emër të shtetit ka të drejtë të marrë pjesë drejtpërdrejt në armiqësi dhe, nëse bie në duart e forcave të armikut, ai e gëzon imunitetin dhe privilegjin e të burgosurit të luftës. Neni 43 i Protokollit I i definon si forca të armatosura “të gjitha forcat e organizuara ushtarake” që operojnë nën komandën e një pale në konflikt, edhe nëse ajo palë e përfaqësuar nga një qeveri ose autoritet nuk njihet nga pala kundërshtare; rrjedhimisht, anëtarët e saj janë të obliguar t’i zbatojnë rregullat e së drejtës ndërkombëtare humanitare sa i përket konfliktit të armatosur e, gjithashtu, atyre u sigurohet mbrojtje ndërkombëtare si të burgosur lufte.

Në teori, statusi i luftëtarit është i kufizuar tek anëtarët e forcave të armatosura të shtetit dhe zbatohet në konfliktet e armatosura ndërkombëtare, pasi që Neni 3, i Përbashkët i Konventave të Gjenevës, që i referohet “konfliktit të natyrës jondërkombëtare”, siç sugjeron Higgins, nuk e përcakton qartë fushëveprimin dhe karakteristikat e konfliktit të brendshëm të armatosur, duke krijuar paqartësi rreth statusit të anëtarëve të grupeve të armatosura. Në praktikë, megjithatë, termi luftëtar përdoret, po ashtu, për t’i përshkruar luftëtarët ose personat që marrin pjesë drejtpërdrejt në luftime në një konflikt të brendshëm – çështje kjo që përcaktohet me ligjin kombëtar. Edhe Asambleja e Përgjithshme e OKB-së flet për “luftëtarët e të gjitha konflikteve të armatosura” në një rezolutë që merret me respektimin e të drejtave të njeriut në konflikt të armatosur – e miratuar në vitin 1970. Së fundi, ndërkaq, nocioni luftëtar ishte përdorur në Deklaratën e Kajros dhe në Planin e Veprimit të Kajros dhe i referohet të dy kategorive të konflikteve.

Sidoqoftë, ky përshkrim ka kuptim përgjithësues; këta persona, sipas KNKK-së, nuk gëzojnë mbrojtje ndaj sulmeve siç u garantohet civilëve, e as nuk u takon e drejta e luftëtarit ose të të burgosurit të luftës – e zbatueshme në konfliktet e armatosura ndërkombëtare. Paqartësitë rreth fushëveprimit dhe karakteristikave të konflikteve të armatosura jondërkombëtare, për rrjedhojë statusit të luftëtarit, lënë të hapur mundësinë për interpretime të ndryshme.

 

Kosova, konflikt i brendshëm dhe ndërkombëtar: Adem dhe Hamëz Jashari, luftëtarë

 

Për ta kuptuar statusin e Adem dhe Hamëz Jasharit duhet shikuar natyrën e konfliktit në Kosovë dhe statusin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si kryengritje e armatosur. Në rrafshin ndërkombëtar, Kosova që nga viti 1990 e deri në fillim të vitit 1998 ishte trajtuar si “problem i brendshëm i Beogradit”, për pasojë, konflikti në Kosovë ishte cilësuar si “trazirë e brendshme”, meqë juridikisht Kosova ishte pjesë e Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ), Serbisë dhe Malit të Zi, e integruar në mënyrë të paligjshme pas shpërbërjes së Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ) në vitin 1992. Komisioni i Pavarur Ndërkombëtar për Kosovën (KPNK) e karakterizon konfliktin në Kosovë si të brendshëm, ndërmjet forcave të RFJ-së dhe Serbisë dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i zhvilluar në territorin e Kosovës prej shkurtit të vitit 1998 deri në mars të vitit 1999, dhe ndërkombëtar, ndërmjet NATO-s dhe RFJ e Serbisë, pas lansimit të fushatës ajrore të Aleancës kundër RFJ-së më 24 mars të vitit 1999.

Pra, konflikti në Kosovë i kishte përmbushur kriteret e një konflikti të brendshëm, ani pse autoritetet federale kurrë nuk e shpallën gjendjen e luftës mbase, siç sugjeron Obradoviq, nga frika se një “pranim” i tillë mund ta legjitimonte statusin politik të UÇK-së në arenën ndërkombëtare. Së këndejmi, Neni i Përbashkët 3, mbi konfliktin e armatosur jondërkombëtar, ishte i aplikueshëm, dhe palët në konflikt ishin të obliguara të silleshin konform provizioneve të tij. Përkatësisht, Kosova/UÇK, bazuar në Nenin 2, i Përbashkët i Konventave të Gjenevës, ishte palë në konflikt, në atë ndërkombëtar dhe të brendshëm, që nënkuptonte se parimi i barazisë së palëve ndërluftuese, sipas Obradoviq, ishte i zbatueshëm: RFJ-ja ishte e obliguar ta respektonte të drejtën ndërkombëtare humanitare si pasardhëse e RSFJ-së (Palë Kontraktuese e Konventave të Gjenevës dhe të Protokolleve Shtesë), rregull ky që ka vlejtur, po ashtu, edhe për anëtarët e UÇK-së si shtetas jugosllavë, respektivisht shtetas të Serbisë, pavarësisht se ata nuk e kishin kapacitetin ligjor të nënshkruanin Konventat e Gjenevës.

Ndonëse statusi i luftëtarit është i aplikueshëm në konfliktin e armatosur ndërkombëtar, janë dy dispozita të së drejtës ndërkombëtare humanitare që, megjithatë, mund të përdoren në rastet e konflikteve të brendshme të armatosura dhe lëvizjeve nacionalçlirimtare. Njëra është Neni i Përbashkët 2 që “aplikohet në të gjitha rastet e luftës së shpallur, ose në rast të ndonjë konflikti tjetër të armatosur që mund të lindë ndërmjet dy ose më shumë palëve kontraktuese, edhe nëse gjendja e luftës nuk njihet nga njëra prej tyre”. Dhe e dyta është Neni i Përbashkët 3 që mbulon “konfliktin e armatosur me karakter jondërkombëtar, i cili zhvillohet brenda territorit të një shteti kontraktues”. Së pari, në Kosovë ka ekzistuar një gjendje lufte edhe pa u deklaruar si e tillë nga RFJ dhe autoritetet e atëhershme të Serbisë; së dyti, Kosova, juridikisht pjesë e RFJ-së/Serbisë, shtet kontraktues i konventave të Gjenevës dhe i protokolleve të saj, paraqiste palë në konflikt; dhe, së treti, konflikti i armatosur ka ndodhur në territorin e një shteti kontraktues, RFJ-së, respektivisht Kosovës si pjesë e federatës.

Duke iu referuar përkufizimit të Protokollit I mbi luftëtarët, pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës iu takonin “forcave ose grupeve të tjera të armatosura” që luftonin kundër “pushtuesit të huaj”, përkatësisht Serbisë, në ushtrim të së “drejtës së tyre të vetëvendosjes”, siç parashikohet në Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe Deklaratën mbi Parimet e së Drejtës Ndërkombëtare në Lidhje me Marrëdhëniet Miqësore dhe Bashkëpunimin Ndërmjet Shteteve. Protokolli I, gjithashtu, e njeh statusin e “grupeve të armatosura joshtetërore” në një konflikt të brendshëm, që nënkupton se ato e gëzojnë “statusin e palës në konflikt, i cili i detyron t’i zbatojnë dispozitat e së drejtës ndërkombëtare humanitare të aplikueshme në konflikte të armatosura jondërkombëtare”. Nisur nga komentimi i KNKK-së, “konfliktet” e përshkruara në Nenin 3, siç shpjegojnë Mofidi dhe Eckert, përfshijnë konfliktet ndërmjet forcave të armatosura të cilësdo palë, e që në shumë tipare i ngjajnë një “lufte ndërkombëtare” por që zhvillohen brenda kufijve të një shteti të vetëm.

Andaj, duke u thirrur në interpretimin e KNKK-së mbi “luftën ndërkombëtare” si konflikt që ndodh brenda “kufijve të një shteti të vetëm”; duke marrë parasysh statusin e Kosovës si njësi e RFJ-së, palë nënshkruese e Konventave të Gjenevës dhe të Protokolleve Shtesë; duke e përdorur zbatueshmërinë e parimit të barazisë së palëve ndërluftuese, si dhe njohjen nga Protokolli I të “grupeve të armatosura” si palë në konflikt, Kosova/UÇK i plotësonte kushtet si palë në konflikt, kështu që pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës llogariten si luftëtarë në përputhje me rregullat dhe zakonet e luftës. Rrjedhimisht, Adem dhe Hamëz Jashari, të vrarë nga forcat policore të Serbisë në fillim të marsit 1998 – në kohën kur konflikti në Kosovë cilësohej si i brendshëm – e gëzojnë statusin e luftëtarit.

 Meqenëse natyra e konflikteve jondërkombëtare nuk është e definuar qartë, kundërthëniet rreth legjitimitetit të pjesëmarrësve në këto luftëra do të vazhdojnë. Neni i Përbashkët 3, siç argumenton Higgins, përderisa është i guximshëm, është paradoksal, njëkohësisht. Së pari, ndërsa ofron mbulim për konfliktin e brendshëm të armatosur, është shumë larg në zbatimin e tërë korpusit të së drejtës ndërkombëtare humanitare në konflikte të tilla. Së dyti, derisa ky nen kërkon të ofrojë mbrojtje për ata që kapen në konflikte jondërkombëtare, pavarësisht kauzës së rebelëve, kjo mbrojtje nuk barazohet me atë që u ofrohet atyre që zihen në konflikte ndërkombëtare. Për më tepër, ekzistojnë paqartësi rreth zbatimit të kësaj dispozite, e cila nuk parasheh ndonjë autoritet përgjegjës që do të vendoste nëse një konflikt i caktuar paraqet “konflikt sipas Nenit të Përbashkët 3”. Më e rëndësishmja, Neni 3, bazuar në analizën e këtij autori, nuk ofron dispozita të veçanta mbi luftën guerile, që do të thotë se qeveria e një shteti mund në çdo rast ta shtypë një kryengritje dhe ende t’i mbajë rebelët përgjegjës sipas ligjit penal, madje edhe t’i dënojë luftëtarët e lirisë, të arrestuar si të burgosur, dhe t’i vrasë pas gjykimit.

Në rastin e Kosovës, qeveria e RFJ-së, sipas Human Rights Watch, nuk ka qenë e obliguar që t’u japë pjesëtarëve të UÇK-së, të zënë robër, statusin e të burgosurit të luftës. Sepse ata, bazuar në ligjin nacional, nuk e kanë gëzuar statusin e luftëtarit të privilegjuar, për rrjedhojë, kanë mundur të gjykohen dhe të dënohen nga gjykatat jugosllave nën akuzën për tradhti, kryengritje, dhe kryerje të krimeve të tjera të dënueshme me kodin penal, parim ky që ka vlejtur edhe në raport me ushtarët e ushtrisë jugosllave.

 

Lëvizjet nacionalçlirimtare: legale dhe legjitime

 

Lëvizjet nacionalçlirimtare kanë marrë legjitimitet ndërkombëtar në Konferencën Diplomatike 1974-1977, e thirrur për t’i rishikuar Konventat e Gjenevës. Me këtë rast, Konferenca i njohu luftërat nacionalçlirimtare si konflikte ndërkombëtare, ndërsa luftëtarët e lirisë, që bëjnë luftë guerile, si luftëtarë – duke marrë imunitetet dhe privilegjet e të burgosurve të luftës nëse kapen nga forcat kundërshtare në konflikt.

Neni i ndryshuar 1.4 i Protokollit Shtesë I, protokoll ky që derivoi nga konferenca, e njeh si konflikt të armatosur luftën e popujve kundër regjimeve shtypëse, si sundimit kolonial, pushtuesit të huaj dhe regjimeve raciste, në ushtrimin e së drejtës së tyre të vetëvendosjes. Duke iu referuar Nenit të Përbashkët 2, Protokolli I aplikohet në “të gjitha rastet e luftës së shpallur ose të ndonjë konflikti tjetër të armatosur” si dhe në “të gjitha rastet e pushtimit të pjesshëm ose të përgjithshëm të territorit të një pale të lartë kontraktuese, edhe nëse okupimi i përmendur nuk has në rezistencë të armatosur”. Ndonëse, këto dy nene e sjellin luftën nacionalçlirimtare në rrafshin e luftërave ndërkombëtare, paragrafi 1 i Nenit të Përbashkët 2, siç sugjeron Graham, aplikohet vetëm në konfliktet “që lindin ndërmjet dy ose më shumë palëve të larta kontraktuese”, ndërkohë që lëvizjet nacionalçlirimtare nuk janë palë nënshkruese të këtyre konventave.

Pavarësisht kësaj, ekzistojnë dispozita shtesë që mund të përdoren nga lëvizjet nacionalçlirimtare përveç atyre të sipërpërmendura, siç janë Nenet 44 dhe 94 të Protokollit I dhe Neni 3, i Përbashkët i Konventave të Gjenevës. Neni 44 mbi luftëtarët dhe të burgosurit e luftës, bazuar në analizën e Higgins, është mjaftueshëm i gjerë sa mund të përfshijë edhe luftëtarët e lirisë ose të rezistencës së armatosur, ndërsa Neni 94 mbi aderimin, që thotë: “ky Protokoll do të jetë i hapur për aderim për secilën palë që nuk e ka nënshkruar atë”, ofron mundësi që lëvizjet nacionalçlirimtare të bëhen palë nënshkruese të Protokollit. Në fakt, Neni 44.3, sipas Mofidi dhe Eckert, kërkon që të shtrijë njohjen ligjore te kategori të caktuara të guerileve teksa i modifikon kërkesat për luftëtarët (stemat dalluese dhe dalja publike me armë) për “t’u dalluar qartë nga civilët”, duke e pranuar në të njëjtën kohë se “natyra e armiqësive” në disa raste do ta pengojë një dallim të tillë në mënyrë efektive.

Tutje, mjegullia e Nenit 3 lejon interpretim më të gjerë dhe ofron mundësinë që luftërat çlirimtare të bien brenda fushëveprimit të tij. Së pari, siç thekson Higgins, me përfshirjen e dispozitës mbi konfliktin e brendshëm, është supozuar se njëra nga palët nuk është shtet; dhe, së dyti, kjo dispozitë mund të zbatohet në një konflikt të tillë edhe pa u arritur pragu i Nenit të Përbashkët 3. Në mënyrë që ky nen të zbatohet, grupet guerile, sipas Suter, duhet të demonstrojnë se paraqesin kërcënim për mbijetesën e qeverisë legjitime përmes përdorimit të shkallës së lartë dhe të vazhdueshme të dhunës deri në atë masë sa trazira civile merr karakter të një konflikti të brendshëm.

Për më tepër, Konventat e Gjenevës e lënë të hapur mundësinë që lëvizjet çlirimtare të aderojnë ose të pranojnë t’i zbatojnë rregullat e konventave duke i përdorur dy dispozita: e pars, Nenet e Përbashkëta 60/59/139/155 mbi aderimin në konventa, të cilat lejojnë zbatimin e konventave në rastet e luftërave çlirimtare, duke thënë se: “Nga data e hyrjes në fuqi, Konventa do të jetë e hapur për çdo fuqi në emrin e së cilës konventa aktuale nuk është nënshkruar ende, të aderojë në këtë Konventë”. Dhe dispozita e dytë, Neni i Përbashkët 2.3, i cili thotë: “Ndonëse njëra nga fuqitë në konflikt mund të mos jetë palë në këtë konventë, fuqitë që janë palë në të do të qëndrojnë të lidhura me të në marrëdhëniet e tyre të ndërsjella”. Termi Fuqi/Fuqitë, shpjegon Higgins, mund të aplikohet në rastet e lëvizjeve nacionalçlirimtare, në mënyrë që ato të aderojnë, ose të pranojnë të jenë të lidhura nga konventat.

Duke e përdorur kuptimin e Konventave të Gjenevës, një lëvizje nacionalçlirimtare mund të kualifikohet si Fuqi nëse ushtron kontroll mbi një territor të caktuar, i administruar nga shteti amë si në koloni ose nën mandat, veprim ky që mund të shërbejë për ta ndërkombëtarizuar konfliktin në atë nivel saqë fushëveprimi i Konventave të Gjenevës mund të vihet në zbatim. Për të arritur deri këtu, lëvizja çlirimtare duhet të përmbushë dy objektiva: ta sigurojë mbështetjen e popullatës civile dhe të sigurojë njohje të madhe ndërkombëtare.

A e kishte fituar Ushtria Çlirimtare e Kosovës mbështetjen popullore? Po. A kishte fituar legjitimitet ndërkombëtar? Absolutisht. Në konferencat ndërkombëtare të Rambujesë dhe Parisit (1999) – të ndërmjetësuara nga Grupi i Kontaktit për Kosovën – UÇK-ja, përmes drejtorit të saj politik Hashim Thaçi, që njëherësh i printe delegacionit të Kosovës, u njoh ndërkombëtarisht si palë në negociata dhe forcë e pashmangshme në zgjidhjen e konfliktit të Kosovës, pa të cilën nënshkrimi i një marrëveshjeje të paqes ishte i pamundshëm. Si debutuese me luftë guerile dhe sulme kundër objekteve të qeverisë serbe në Kosovë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës llogaritet si një ndër kryengritjet më të suksesshme të periudhës së pas Luftës së Ftohtë. Së pari duke operuar në një periudhë relativisht të shkurtër të konfliktit të armatosur; së dyti duke marrë mbështetje të gjerë nga popullata civile brenda territorit që operonte; së treti duke i rezistuar regjimet e karakterizuara si okupatorë të huaj; dhe, së fundi, duke arritur të fitojë legjitimitet ndërkombëtar. Suksesi i UÇK-së, siç argumentojnë Mulaj dhe Perrit, i atribuohet simbiozës së legjitimitetit kombëtar dhe ndërkombëtar: në planin kombëtar përmes sfidimit të lëvizjes paqësore të Ibrahim Rugovës dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), dhe në atë ndërkombëtar duke i rezistuar shtypjes së vazhdueshme të regjimit të Serbisë ndaj shqiptarëve etnikë të Kosovës.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte vazhdim i luftës së shqiptarëve për çlirim dhe pavarësi nga Serbia, e njohur në thelb si regjim shtypës. Misioni i saj, sipas Mulajt, “duhet të kuptohet në kontekstin e shtypjes së vazhdueshme të shqiptarëve të Kosovës nga qeveritë serbe”. Shfaqja e UÇK-së ishte ndikuar nga dy faktorë: lëvizja e pafrytshme, paqësore e Rugovës dhe LDK-së, në njërën anë, dhe dështimi i Marrëveshjes së Dejtonit (1995) për ta zgjidhur statusin e Kosovës krahas atij të Bosnje dhe Hercegovinës, në anën tjetër. Organizata zgjodhi dhunën si mjet i fundit si përgjigje ndaj dhunës dhe terrorit të Sllobodan Millosheviqit kundër shqiptarëve, e lansuar në fillim të vitit 1990 dhe e riaktualizuar gjatë gjithë dekadës. Ishte vrasja masive në Likoshan dhe Çirez (28 shkurt-1 mars, 1998) dhe vrasja e Adem Jasharit dhe e familjes së tij (5-7 mars 1998), megjithatë, që shënuan pikë kthese. Lufta ishte e pashmangshme.

 

Ushtria Çlirimtare e Kosovës: Palë në konflikt, anëtarët e saj – luftëtarë

 

Historikisht, lëvizjet/kryengritjet guerile kanë qenë subjekt i diskutimeve për shkak të legjitimitetit dhe pajtueshmërisë së tyre me ligjin dhe zakonet e luftës. Për dallim nga luftëtarët e ligjshëm, guerilët konsiderohen të paligjshëm ose ilegalë, shpesh janë etiketuar si luftëtarë të paprivilegjuar, luftëtarë të armikut, terroristë, kryengritës, madje edhe kriminelë. Si pasojë, ata nuk gëzojnë mbrojtje ligjore ndërkombëtare, respektivisht nuk e gëzojnë statusin e luftëtarit dhe të të burgosurit të luftës. Të definuar si luftëtarë të paligjshëm dhe të paprivilegjuar, luftëtarët e paligjshëm të armikut, bazuar në përshkrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), janë aktorë joshtetërorë që e përdorin forcën ushtarake për përfitime personale – pa autorizimin e duhur – dhe duke i shkelur normat dhe rregullat e luftës, veçanërisht rregullat e Hagës.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e njohur për metodat guerile të luftës, si dhe sulmet dhe kundër-sulmet, i sfidon këto supozime. UÇK, argumenton Humanitarian Rights Watch, ishte forcë e organizuar ushtarake konform përshkrimit të së drejtës ndërkombëtare humanitare. Dëshmitë ekzistuese tregojnë se rezistenca e armatosur i plotësonte të gjitha kriteret e rregullave të Hagës: ajo kishte strukturë dhe organizim relativisht të mirë – hierarkinë dhe organet udhëheqëse; kishte shenja dalluese – emblema dhe uniforma; dilte publikisht me armë; dhe zhvillonte operacione luftarake në përputhje me rregullat dhe zakonet e luftës. Siç kishte deklaruar Jakup Krasniqi në cilësinë e zëdhënësit të UÇK-së: “UÇK-ja është një ushtri çlirimtare dhe formacion i rregullt ushtarak […]. Veprimet tona janë pak më të gjera dhe më shumë kanë karakter të ushtrive të rregullta”. (“Koha ditore”, 11 korrik 1998)

Së dyti, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte e ligjshme dhe legjitime! Lëvizja e armatosur i takonte Gjeneratës së Katërt të Luftës që simbolizon integrimin e aspektit politik dhe ushtarak të luftës: UÇK-ja iu ngjasonte lëvizjeve nacionaliste të shekullit të njëzetë që kishin bërë luftë çlirimtare kundër qeverive shtypëse me qëllim realizimin e së drejtës për vetëvendosje – e garantuar me Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe Protokollin I. Duke iu përmbajtur dispozitave të rregullave të Hagës, pjesëtarët e UÇK-së nuk ishin të paligjshëm e as terroristë siç ishin etiketuar nga regjimi i Serbisë. Në të vërtetë, UÇK – ndryshe nga lëvizjet e tjera kryengritëse – sipas Perrit, përdori relativisht pak sulme terroriste ndaj civilëve dhe fitoi relativisht pak beteja kundër forcave ushtarake kundërshtare për shkak të suksesit që arriti në arenën politike ndërkombëtare. Anëtarët e saj përfaqësonin luftën e popullit; ata ishin luftëtarë të lirisë. Siç shkruante njëra nga komunikatat e UÇK-së, e lëshuar në dhjetor të vitit 1997, dhe e drejtuar ndaj bashkësisë ndërkombëtare, “UÇK lindi si domosdoshmëri e kohës dhe qëllimi i saj i vetëm është çlirimi i territoreve tona”, ndërsa shtonte se “lufta jonë është luftë e drejtë për çlirim”.

Qëllimi kryesor i UÇK-së ishte çlirimi dhe pavarësia e Kosovës nga Serbia, e njohur si pushtues i huaj. Strategjia dhe taktikat e organizatës ishin të ngjashme me ato që ishin përdorur nga Marshall Tito gjatë luftës nacionalçlirimtare dhe ishin promovuar, po ashtu, nga regjimet e mëparshme përmes sistemeve të mbrojtjes së përgjithshme kombëtare dhe të mbrojtjes civile. Ideologjia e saj nacionaliste ishte tipike për lëvizjet nacionalçlirimtare të shekullit njëzet, që synonin krijimin e një shteti të lirë dhe të pavarur, siç ishte rasti i Tigrave Çlirimtarë të Tamil Elamit (TÇTE/LTTE) në Shri Lankë ose Lëvizja Kundër Aparteidit (LKA/AAM) në Afrikën e Jugut. Dhe, ndërsa ekzistojnë probleme ligjore në konfliktin ndërmjet lëvizjes nacionalçlirimtare dhe qeverisë legjitime, historia na kujton se lufta e çlirimit kombëtar ka ekzistuar qysh në shekullin tetëmbëdhjetë – kolonët amerikanë që luftonin kundër sundimtarëve të tyre britanikë dhe, në shekullin e nëntëmbëdhjetë, kur vendet e Amerikës Latine luftonin kundër sundimit të Spanjës dhe Portugalisë.

E vërtetë, ka pasur dhe gjithmonë do të ketë dyshime se individë brenda UÇK-së ishin përfshirë në krime në kundërshtim me rregullat dhe zakonet e luftës, siç kishin raportuar disa organizata ndërkombëtare, dhe siç konkludoi Tribunali i Hagës në gjykimet kundër Limajt dhe të tjerëve dhe Haradinajt dhe të tjerëve. Megjithatë, kjo nuk sugjeron se UÇK-ja, si organizatë, ishte infiltruar në akte kriminale ose “ndërmarrje të përbashkët kriminale” në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar. Ushtria Çlirimtare e Kosovës, siç kishte thënë Jakup Krasniqi, duke iu përgjigjur pretendimeve të Dhomave të Specializuara, nuk ishte “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, ajo ishte “ndërmarrje e përbashkët çlirimtare”.

Për ta përmbyllur, Adem dhe Hamëz Jashari, pjesëtarë të një populli të shtypur dhe që luftuan kundër pushtuesit të huaj në ushtrim të së drejtës së tyre të vetëvendosjes, ligjërisht e gëzojnë statusin e luftëtarit. Si pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ata përfaqësuan forcat disidente ose grupe të tjera të armatosura në një konflikt jondërkombëtar, ose ishin të lidhur me një lëvizje çlirimtare – lufta për çlirim kombëtar e së cilës njihet si konflikt ndërkombëtar në të Drejtën Ndërkombëtare Humanitare. Dhe, me Kosovën si pjesë e RFJ-së, palë nënshkruese e Konventave të Gjenevës dhe të Protokolleve Shtesë, pjesëtarët e UÇK-së si shtetas të RFJ/Serbisë ishin të detyruar t’i zbatonin rregullat dhe zakonet e luftës, që do të thotë se UÇK-ja si grup i armatosur– i njohur si palë në konflikt sipas përkufizimit të Protokollit I, paraqiste palë në konflikt edhe pa u njohur si e tillë nga Serbia. Në fund, konflikti në Kosovë, duke e arritur pragun e një konflikti të brendshëm të armatosur, iu dha mundësi Adem dhe Hamëz Jasharit të fitonin statusin e luftëtarit. Prandaj, vrasja e tyre duhet të përjashtohet nga hetimi.

 

(Autorja është hulumtuese, aktualisht e angazhuar si Research Fellow në World Mediation Organization në Berlin. Ajo ka mbaruar studimet Master në Marrëdhënie Ndërkombëtare në New School, New York, me fokus studimet e luftës dhe paqes, paqe-ndërtimi, shtet-ndërtimi dhe zhvillimi, si dhe e drejta ndërkombëtare dhe e drejta ndërkombëtare humanitare). /sbunker.net/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka rikthyer “tweet”-in…