Statusin investitor strategjik e merr një kompani vendore, do të investohen deri në 11 milionë euro
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të fundit i ka dhënë statusin e investitorit strategjik, kompanisë vendore Kosmonte Foods.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari gjatë prezantimit të arsyetimit tha se deri në fund të vitit 2025 investimet e kësaj kompanie kapin vlerën prej 11 milionë euro.
“Grupi operacional në bashkëpunim me KIESA-në ka bërë vlerësimin e dokumentacionit dhe ka konstatuar se subjekti Kosmonte Foods është në përputhje me Udhëzimin Administrativ për përmbushjen e kritereve si investitor strategjik. Në përputhje me statusin e investitorit strategjik, Kosmonte Foods për periudhën 2021-2025 do të zbatoj projektet deri në fund të vitin 2025 në vlerë prej 11.1 milionë euro”, u shpreh Hajdari.
Po ashtu, Qeveria se ka themeluar Komisionit Ekzekutiv për themelimin e Fondit Sovran.
Sipas vendimit, ky Komision është formuar si parakusht për formimin e këtij Fondi.
Në bazë të planit të Qeverisë, Fondi Sovran do t’i marrë nën pronësi asetet strategjike të Kosovës dhe do ta ketë përgjegjësinë ekskluzive për investimet në rritjen e vlerës së Trepçës, KEK-ut, Telekomit dhe Postës.