Stavileci: Kosova e fundit në rajon me pakon e masave emergjente për ekonominë

06 prill 2020 | 21:20

Drejtori i Përgjithshëm i PDK-së, Blerand Stavileci, ka thënë se në këtë kohë pandemie, Qeveria e Kosovës është vonuar shumë me masat për të ndihmuar punonjësit e sektorit privat dhe bizneset dhe kjo sipas tij do të dëmtoj ekonominë e vendit.

“Një kryeministër i përgjegjshëm do të duhej të dilte çdo ditë në terren, në çdo komunë dhe në çdo cep të Kosovës, për të qenë afër punëtorëve e prodhuesve, e ministrat e tij të dilnin çdo ditë për të prezantuar masa për secilën kategori. Ata jo që nuk po tregojnë pjekuri shtetërore e profesionalizëm pragmatik, por edhe e kanë humbur ndjesinë njerëzore – së cilës aq shumë i referoheshin deri para 50 ditësh, e të cilën e përbuzën kaq shumë për vetëm 1 muaj në këtë kohë pandemie”, vlerëson Stavileci përmes një analize që e ka publikuar në faqen e tij në “Facebook”.

Stavileci ka krahasuar të dhënat e vendeve të rajonit ku Kosova del se është e renditur e fundit lidhur me masat në ekonomi në kohën e pandemisë.

Deklarata e plotë e Blerand Stavilecit:

KOSOVA E FUNDIT NË RAJON ME PAKON E MASAVE EMERGJENTE PËR EKONOMINË

Ekonomia, bizneset dhe punëtorët e të gjitha ndërmarrjeve në të gjithë sektorët, duhen të jenë prioritet absolut, paralelisht me kujdesin dhe masat e tjera shëndetsore.

Parashikimet janë të errëta. Shumë projeksione ekspertësh eminentë parashohin realitete të reja ekonomike të ngjashme me ato të Depresionit të Madh të viteve të ’30-ta të shekullit të kaluar. Pra, shumë më keq sesa kriza financiare globale e para pak më shumë se një dekade.

Nobelisti Paul Krugman thotë se mësimi kryesor nga të gjitha krizat ekonomike është se intervenimi i shtetit mbetet kyç në zvogëlimin e efekteve negative dhe shkurtimin e periudhës së rimëkëmbjes.

Qeveria Kurti, tashmë e vetë-shkarkuar, ka paralajmëruar me vonesë masat ekonomike dhe ato janë të mangëta.

Në vend se çdo ditë të punohej për ekonominë e shtetit dhe për secilin punëtor të vendit tonë, ajo nuk po tregohet në nivelin e përgjegjësisë së duhur për evitimin e pasojave ekonomike që po shkakton pandemia.

Dy ministrat kryesorë të ekonomisë dhe financave deri më tash kanë bërë vetëm dy veprime: njëri ka prezantuar një pako të vonuar dhe të mangët, ndërsa tjetri ka marrë një vendim që rrezikon të ardhmen e mijëra prodhuesve të vyeshëm të vendit tonë.

Një Kryeministër i përgjegjshëm do të duhej të dilte çdo ditë në terren, në çdo komunë dhe në çdo cep të Kosovës, për të qenë afër punëtorëve e prodhuesve, e ministrat e tij të dilnin çdo ditë për të prezantuar masa për secilën kategori. Ata jo që nuk po tregojnë pjekuri shtetërore e profesionalizëm pragmatik, por edhe e kanë humbur ndjesinë njerëzore – së cilës aq shumë i referoheshin deri para 50 ditësh, e të cilën e përbuzën kaq shumë për vetëm 1 muaj në këtë kohë pandemie.

Një Qeveri që mendon për popullin, e jo për inatet dhe krizat politike të provokuara vetë për interesa partiake dhe individuale, do të duhej që të ishte çdo ditë e angazhuar për secilën kategori. Për punëtorët e sektorit privat, për punëtorët e sektorit publik, për policinë dhe ushtrinë, për mësuesit, arsimtarët e profesorët, për mjekët e personelin shëndetësor, për pensionistët, për familjet në nevojë, për familjet e dëshmorëve dhe invalidëve, për personat me aftësi të kufizuara, për prodhuesit, për tregtarët, për mediat dhe gazetarët, për të vetëpunësuarit, për fermerët dhe agropërpunuesit, për sportistët e artistët, për taksistët, për frizerët, për kamarierët, për tekstilshitësit. Pra, për secilën kategori veç e veç. Ata do të ndjeheshin shumë më të sigurtë, sepse kësaj pandemie sigurisht se mund t’i shpëtojnë me vetëdisiplinë e kujdes personal, por bukën e gojës dhe punën s’mund ta nxjerrin pa mbështetjen meritore të Qeverisë së shtetit të tyre, të cilit ia paguajnë taksat dhe kontributet.

Në anën tjetër, mund t’i shohim shtetet e rajonit se si deri më tash, gjatë përballjes me situatën e krijuar nga coronavirusi, kanë aprovuar buxhete shumë herë më të mëdha. Për shembull, Serbia 5,1 miliardë euro (46% e buxhetit vjetor të shtetit), Kroacia 3,9 miliardë euro (20,5%), Sllovenia 3 miliardë euro (28%), Bullgaria 5 miliardë euro (22,2%), Rumania 10 miliardë euro (28,8%).

Qeveritarët tanë, ndërkaq, edhe e kanë vonuar ndihmën, edhe e kanë lënë të mangët atë, duke përjashtuar shumë kategori të rëndësishme të shoqërisë sonë, me vetëm 170 milionë euro të planifikuara, që përbën vetëm 7,16% të buxhetit të shtetit tonë për vitin 2020. Madje, po të ishin bashkëpunues, do të mund të kërkonin ndihmë direkte financiare nga SHBA-ja, e jo ironikisht të ndodhte krejt e kundërta, edhe ato që kishim nga ata t’i humbim për fajin e politikave të tyre të mbrapshta në raport me partnerin tonë kryesor politik, ekonomik dhe ushtarak.

Për të mos mjaftuar me kaq, por për ta rënduar edhe më shumë gjendjen për qytetarët e vendit tonë, kjo Qeveri nuk u mbush mend as pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, për të shkuar drejt një shkeljeje tjetër kushtetuese.

Ajo po përpiqet që me vendime administrative të shtyejë përpara një pako ekonomike pa e kaluar në Kuvendin e Republikës sonë.

Neni 65 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës e përcakton qartë se i vetmi institucion që e miraton buxhetin, ose ristrukturimin e tij, është Kuvendi i Kosovës.

Po ashtu, propozimi i Qeverisë bie ndesh me Ligjin për Buxhetin, të cilin vetë e kanë votuar në një seancë parlamentare klandestine, para dy javësh, si dhe me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike.

Ne, para disa ditësh, e dëgjuam Kryeministrin e vetë-shkarkuar, duke deklaruar hapur se po përpiqet që të shmangë Kuvendin e Kosovës, sepse, sipas tij, Kuvendi shkakton “kokëçarje të reja”.

Tani, do të duhej të ndodhte pikërisht e kundërta. Të thirret sa më shpejtë një seancë parlamentare e jashtëzakonshme, ku do të diskutohej ristrukturimi i buxhetit të vitit 2020, për të mundësuar masat e nevojshme që shpëtojnë ekonominë e Kosovës prej kolapsit.

Ky është misioni më i shenjtë që tash duhet ta ketë secili prej nesh. E, në rend të parë dhe para të gjithëve, kjo i takon Qeverisë.

Qytetarët nuk duhet lënë në mëshirën e fatit, e aq më pak të (pa)ndjesisë njerëzore të atyre që dezertojnë dhe u ikin përgjegjësive të veta kushtetuese e ligjore.

Çdo vonesë e sotme do ta zgjasë shërimin e plagëve nesër.

Prandaj, mos të mbetemi prapa e të fundit, ashtu si me buxhetin për masat emergjente!

Nëse për shëndetin tonë po themi Kujdes Po, Panik Jo, për ekonominë e kësaj kohe vlen motoja Përkrahje Po, Neglizhencë Jo. Përkrahje shumë e madhe, sepse edhe e vonuar, edhe e mangët, e edhe e vogël nuk mjafton.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Erjon Bogdani është një emër i njohur për të gjithë…