Stavileci, PDK: Vendimi i Qeverisë Kurti për shtesat e personelit shëndetësorë 60 euro është përçmim – të bëhet 300 euro
Anëtari i ri i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci, ka thënë se vendimi i Qeverisë Kurti për t’ua ndarë punonjësve shëndetësorë nga 60 euro, si shtesa për tre muaj, është fyerje e madhe për mjekët dhe infermierët – të cilët, siç tha ai, tash e dy vjet, në kushte të vështira, po e kryejnë detyrën me përgjegjësi të lartë për të shpëtuar jetën e qytetarëve në luftë me Covid-19.
Stavileci ka kërkuar që vendimi i Qeverisë të rishikohet menjëherë dhe pagesa shtesë të kthehet në 300 euro, ashtu sikurse ka kërkuar të rritet edhe kohëzgjatja e dhënies së saj.
Stavileci ka shkruar në faqen e tij në Facebook se shifrat alarmante të të vdekurve në javën e fundit dhe nunri i qytetarëve të infektuar, numrat gjithnjë në rritje të të infektuarve, vaksinimi kaotik e i ngadalshëm, si dhe mungesa e investimeve nëpër spitale, flasin qartë për paaftësinë e Qeverisë Kurti për ta menaxhuar pandeminë dhe për ta qeverisur vendin.
Deklarata e plotë e Blerand Stavilecit:
Me Albin Kurtin Kryeministër, punëtorët shëndetësorë, në vend të mbështetjes që meritojnë, po marrin përçmim. Sepse, vendimi i Qeverisë për t’ua ndarë atyre nga 60 euro, si shtesa për tre muaj, është fyerje e madhe për mjekët dhe infermierët – të cilët, tash e dy vjet, në kushte të vështira, po e kryejnë detyrën me përgjegjësi të lartë për të shpëtuar jetën e qytetarëve në luftë me Covid-19. Derisa krerët e shtetit kanë shëtitur në Greqi, Cannes e Turqi, personeli shëndetësor është përballur me një gjendje çdo ditë e më të rënduar. Shifrat alarmante të të vdekurve në javën e fundit, numrat gjithnjë në rritje të të infektuarve, vaksinimi kaotik e i ngadalshëm, si dhe mungesa e investimeve nëpër spitale, flasin qartë për paaftësinë e Qeverisë Kurti për ta menaxhuar pandeminë dhe për ta qeverisur vendin. Ky vendim duhet të rishikohet menjëherë dhe pagesa shtesë duhet të kthehet në 300 euro, ashtu sikurse duhet rritur edhe kohëzgjatja e dhënies së saj.
https://m.facebook.com/story.php?story_fbid=403834537765219&id=100044160292878&sfnsn=mo