Stavileci: Rreth 20 maune nga Serbia futen në Kosovë që nga vendosja e reciprocitetit
Ndër vendimet e fundit të Qeverisë Kurti ishte edhe shtimi i masave të reciprocitetit ndaj Serbisë.
Me vendimin në fuqi asnjë kamion nga Serbia nuk do të mund të futet në Kosovë nëse në mallra nuk shkruhet Republika e Kosovës.
Gjatë 24 orëve të fundit këtë vendim e kanë respektuar dy kamionë, ndërsa në total janë rreth 20 maune që pranuan Republikën e Kosovës.
Megjithatë, ka të tjera që nuk pranojnë të importojnë mallrat e tyre duke e pranuar pavarësinë e Kosovës.
Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, ka deklaruar për “KlanKosova”, se 13 maune janë kthyer prapë në mungesë të dokumenteve të kërkuara dhe se të tjera nuk kanë ardhur që nga futja e masës në fuqi.
“Gjatë 24 orëve të fundit dy maune me mallra të Serbisë, në total tani kemi rreth 20 maune të importuara që nga vendimi i reciprocitetit. 13 maune janë kthyer, pastaj të tjerat nuk kanë ardhur”.
Stavileci ka konfirmuar se reciprociteti ka ulur importin e produkteve nga Serbia duke thënë se është ende herët të dihet efekti financiar.