Steinmeier në Shqipëri: Procesi i Berlinit, rruga drejt BE-së
Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, tha se Procesi i Berlinit është rruga që përshpejton integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Ai i bëri këto komente në Tiranë, ku të enjten qëndroi për vizitë zyrtare.
Në fjalimin e tij para deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, Steinmeier tha se është e rëndësishme që të nisë bashkëpunimi rajonal, dhe se për këtë shërbejnë edhe marrëveshjet që u nënshkruan më 3 nëntor në Berlin.
“Këto marrëveshje duhet të zbatohen nga pikëpamja konkrete në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, që të mundësohet lëvizja e lirë e njerëzve dhe mallrave, të njihen diplomat dhe kualifikimet e tjera. Kjo sjell përmirësim të situatës ekonomike në këtë rajon dhe afrim me BE-në”, tha ai.
Marrëveshjet për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale, u nënshkruan nga krerët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, më 3 nëntor, në samitin në kuadër të Procesit të Berlinit. Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnje dhe Hercegovina, Shqipëria dhe Kosova u pajtuan paraprakisht për marrëveshjet, në tetor, pas disa javësh negociatash të udhëhequra nga Gjermania.
Pas mesazheve që përcolli presidenti gjerman, kryeministri shqiptar, Edi Rama, u pyet nga gazetarët në lidhje me vazhdimin e nismës tjetër rajonale, e njohur si Ballkani i Hapur.
Ai tha se qëndrimi i tij për këtë nismë nuk ndryshon, dhe se “ata që kanë qenë kundër saj kanë arsye të ndryshojnë qëndrimin e tyre”.
Rama tha se përmendi tri arsye pse është pro kësaj nisme.
“Së pari Ballkani i Hapur ka miratimin e 60 për qind të shqiptarëve; së dyti është në përputhje me frymën e BE-së; dhe së treti në Procesin e Berlini të ri-startuar kemi firmosur po ato marrëveshje që firmosëm më herët në Ballkanin e Hapur”, tha ai.