Steinmeieri: SHBA-ja, Kina dhe Rusia po e bëjnë botën më të rrezikshme
Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, ka sugjeruar se Rusia dhe Kina, bashkë me Shtetet e Bashkuara janë duke nxitur jostabilitet global, teksa ka paralajmëruar për rrezikun që këto tri shtete të përfshihen e garën e “fuqisë së madhe” dhe asaj për armë bërthamore.
Ai i ka bërë këto komente në fjalimin hyrës në Konferencën për Siguri që po mbahet në Mynih.
Konferenca organizohet në këtë qytet gjerman nga viti 1963.
“Rusia i ka bërë forcën ushtarake dhe ndryshimin e dhunshëm të kufijve në kontinentin evropian, çështje politike sërish”, ka thënë ai, raporton “Rel”.
“Kina pranon ligjin ndërkombëtar vetëm pjesërisht, aty ku nuk kundërshton interesat e saj”, ka deklaruar Steinmeier.
“Dhe aleatet tona më të ngushta, Shtetet e Bashkuara, sipas administratës aktuale, kundërshtojnë idenë e një komuniteti ndërkombëtar”, ka thënë ai.
Kjo konferencë vjetore ka shërbyer për mbledhjen e liderëve botërorë, sidomos në kohën e marrëdhënieve të tensionuara në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, siç ka qenë rasti me debatin për luftën në Irak më 2003.