Sterlingu do të luajë të dielën në Kosovë
Anësori i Manchester Cityt, Raheem Sterling, është përjashtuar nga skuadra e Anglisë për ndeshjen kualifikuese për ‘Euro 2020’ ndaj Malit të Zi. Këtë vendim përzgjedhësi Gareth Southgate e ka marrë pas zënkës me mbrojtësin e Liverpoolit, Joe Gomez, që kishte filluar prej derbit të Premierë Ligës në fundjavë dhe kishte vazhduar të hënën në stërvitje me kombëtaren.
Mirëpo, “Daily Mail” bën të ditur se Sterling do të kthehet në skuadër dhe pritet të jetë luajë në ndeshjen e të dielës në stadiumin “Fadil Vokrri” kundër Kosovës.
Southgate ka thënë se Sterlingu është pjesë shumë e rëndësishme e planeve të tij, prandaj pezullimi ka ndodhur vetëm për sfidën ndaj Malit të Zi. “Raheem Sterling është shumë i rëndësishëm për ne, por mendova se ishte gjëja e duhur për t’u bërë (suspendimi). I dua të gjithë lojtarët e mi. Jemi si një familje dhe të gjitha familjet kanë mospajtime. E rëndësishme për një familje është që të komunikojë dhe t’i tejkalojë problemet”, ka thënë Southgate në konferencën për shtyp.