Stërvitja amerikane në Shqipëri alarmon Rusinë: Sfidë ndaj nesh
Stërvitja më e madhe e ushtrisë amerikane në Evropë, “Defender Europe 21” do të zhvillohet për herë të parë në Shqipëri, duke mbledhur në vendin tonë mijëra trupa të NATO-s dhe SHBA-së. Megjithatë zhvillimi i këtij trajnimi në vendin tonë dhe në shtetet e tjera të Ballkanit duket se ka shqetësuar Rusinë.
Manovra ushtarake vijnë në kulmin e tensioneve, ndërkohë që Rusia, SHBA dhe NATO janë përfshirë në një sërë përplasjesh ushtarake në Ukrainën Lindore.
Shqetësimi i Kremlinit ka ardhur pas deklaratës së ambasadores amerikane Yuri Kim të martën, e cila u shpreh se kjo stërvitje është një demonstrim ndaj të gjithëve se sa shpejt SHBA mund të angazhohet në një rast lufte, qoftë dhe në mbështetje të partnerëve të saj. Deklarata erdhi në ditë përpara se ushtria amerikane të niste dy luftanije drejt Detit të Zi. Mediat ruse thonë se manovrat ushtarakë në vendin tonë, që fillojnë më 26 prill, janë një tregim force ndaj Moskës.
Shkrimi i fundit vjen nga gazeta ruse “Krasnaya Zvezda”, e cila e cilëson “Defender of Europe 2021” është një përpjekje tjetër e dyshimtë e aleancës për të demonstruar gatishmërinë e saj kundër Rusisë.
Ajo përmend dhe Shqipëriabë dhe faktin që një pjesë e madhe e trupave do vendosen në vendin tonë. “Një pjesë e pajisjeve ushtarake të Ushtrisë Amerikane nga bazat në Gjermani do të transferohen në Shqipëri. Disa baza në Slloveni dhe Kroaci janë rezervuar për shkarkimin e pajisjeve ushtarake të Forcave të Armatosura Britanike”, shkruan gazeta ruse, duke shtuar më tej se shumë avionë e anije do qëndrojnë në Detin e Zi, duke “sfiduar” Rusisë.
“Numri i trupave që do të marrin pjesë në stërvitje, stërvitja e cila sipas amerikanëve “nuk synon kundër Rusisë” është e habitshme. Vitin e kaluar, SHBA synoi të transferonte 40 mijë trupa, rreth 20 mijë njësi armësh dhe pajisje ushtarake… Këtë vit në këtë stërvitje është planifikuar të marrin pjesë rreth 40 mijë ushtarë dhe rreth 15 njësi ushtarake të vendeve anëtare të NATO, të cilët do të vendosen në kufi me Rusinë… Në të njëjtën kohë, zhvillimi i skenarëve të luftës me Federatën Ruse është qartë i dukshëm”, thekson gazeta më tej.
Stërvitja “Defender Europe /21 konsiderohet si një nga më të mëdhatë në Europë. Kjo stërvitje, mikpritëse e së cilës do të jetë Shqipëria, do të drejtohet nga Komanda e Ushtrisë Amerikane në Evropë. Stërvitja do të zhvillohet nga 1 maj- 14 qershor të këtij viti dhe do të shtrihet në disa vende të Ballkanit dhe të Detit të Zi
Në të do të marrin pjesë mbi 17 mijë trupa amerikane dhe 14 mijë të tjera nga 26 vende anëtare të NATO-s, që do të vënë në dispozicion të stërvitjes edhe mjete ushtarake, Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, 4 mijë ushtarë amerikanë do të vendosen në Shqipëri dhe pjesa tjetër do të zhvendoset në vendet fqinje.
Zëvendëskomandant i Ushtrisë së SHBA në Europë, Gjeneral Major Joseph Jarrard e cilësoi Shqipërinë gjatrë një vizite të fundit në vendin tonë si partnere strategjike e sigurisë amerikane në Europë. Ai theksoi, se stërvitja në fjalë do të shërbejë “për të ndërtuar gatishmërinë dhe ndërveprimin ushtarak të SHBA, me ushtarë shqiptarë në tokën shqiptare”. Presim që Shqipëria të ketë një rol të rëndësishëm në këtë stërvitje madhore ushtarake. Ajo do të jetë një vend kryesor pritës për veprimtaritë e shumta ushtarake dhe kjo përforcon rëndësinë strategjike të gjeografisë së Shqipërisë në rajon” theksoi ai.