STINA E KOALICIONEVE DHE TË PAPRITURAT
Për fëmijët e Kosovës, për ardhmërinë tonë të përbashkët ia vlen të provojmë një stil tjetër bashkëqeverisjeje, duke flakur të gjitha recidivat negativë të së kaluarës, kur njerëzit kreativë zëvendësoheshin me ushtarë partiakë
Nga Mehmet PRISHTINA
Pasi deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan pro shpërndarjes së legjislaturës së gjashtë, ende pa i skaduar mandati kushtetuesprej katër vjetësh, tash e tutje betejat politike parazgjedhore pritet të bëhen më dinamike. Ka mbetur vetëm që presidenti i vendit, Hashim Thaçi të caktojë edhe datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Ndërkohë ende pa u shpallur zgjedhjet e reja, partitë janë përfshirë në një fushatë për lidhjen e koalicioneve të reja parazgjedhore. Dhe këtu asgjë të keqe s’ka, por mbetet të shihet se sa garantojnë këto bisedime ndërpartiake një perspektivë ndryshe politike e ekonomike të vendit.
Nga një vëzhgim sipërfaqësor, duket se gjithçka është në rregull. Secili po mundohet të gjejë një partner të përshtatshëm me të cilin mendon se do të ketë më tepër gjasa për ndonjë bashkëqeverisje eventuale. Por, në fakt a është pikërisht kështu, nëse iu bëjmë një analizë më të thellë lëvizjeve të fundit?
Parimisht secili subjekt politik ka të drejtë të bëjë koalicion para dhe pas zgjedhor dhe secili i ka arsyet dhe motivet e veta për të ndërtuar një partneritet politik me atë subjekt që mendon se do ta ketë më lehtë t’i realizojë përcaktimet programore në qeverisjen e ardhshme të vendit.
Kur është në pyetje realiteti politik në Kosovë, parimet jo rrallë janë në fundin e listave prioritare, prandaj nuk është për t’u habitur nëse në momentin e fundit nuk ndodhin koalicionime të çuditshme që për shumë kënd do të ishin më shumë se befasi. Kjo edhe ka ndodhur në të kaluarën kur koalicionet ishin të zorit e jo të parimeve dhe si të tillë prodhonin kriza të vazhdueshme institucionale. Këto koalicione gjithmonë kishin një kundërshtar të përbashkët, dhe koekzistenca pastaj nuk ndërtohej mbi gjetjen e formulës së përbashkët të bashkëqeverisjes, por në krijimin e alibive për ta luftuar kundërshtarin e përbashkët politik.
Tani për tani, se si do të rrjedhin punët rreth koalicionimeve të mundshme, është mirë t’ia lëmë kohës.
Por në anën tjetër, diçka që nuk mund t’ia lëmë kohës është vetëdijesimi qytetar që duhet të ndodhë para se politika t’i krijojë sërish shabllonet e veta për dominimin e radhës. Qytetarët e Kosovës në këto vite, me votën e tyre, kanë mandatuar shumë qeveri, ndonëse shumica prej tyre nuk arritën deri në fund ta harxhojnë mandatin kushtetues. Kjo dëshmon se në vend të parimeve bashkëqeverisëse ishin zgjedhur ndërskamsat, kurse në vend të vizionit zhvillimor ishin zgjedhur taktikat klienteliste për të monopolizuar resurset ekonomike e biznisore.
Një udhë që është bërë në ndërtimin e institucioneve dhe politikave shtetndërtuese, është e mjaftueshme për të vazhduar ecjen pa u ndalur, por me një dinamikë dhe me një vizion krejt tjetër. Kjo do varet parasegjithash nga ata që në katër vjetët e ardhshme do të (bashkë)qeverisin vendin. Do të varet nga ata që në start do të hartojnë një platformë mbi të cilën do të vendosin prioritetet dhe kauzat kryesore.
Kosova është një vend me resurse të shumta natyrore e agrare dhe me një rini që potencialisht i plotëson të gjitha kushtet për të qenë krah i fortë i zhvillimit të vendit. Por ky fakt është i pamjaftueshëm për t’u llogaritur si garanci e bashkëqeverisjeve të ardhshme, nëse paraprakisht nuk evitohen një mori pengesash që kishin frenuar zhvillimin normal të vendit tonë.Parasëgjithash nëse nuk shkulet me rrënjë kultura e mosndëshkimit të politikanëve të korruptuar e kriminalizuar dhe nëse nuk kthehet te sovrani gjithë prona e grabitur, Kosova e ka vështirë të shkruaj histori suksesi në periudhën e ardhshme. Rinia jonë pret të angazhohet sipas dijeve të fituara gjatë shkollimit dhe tregu ynë është mjaft i etur për prurje të reja nga bankat e universiteteve. Por, kjo rini nuk mund të angazhohet me automatizëm nëse nuk krijohet një strategji efikase për vendetë reja të punës, jo sipas klientelizmave partiakë që prodhonte më shumë votues e më pak kuadro që do t’i hynin në punës ekonomisë dhe industrisë së vendit. Mbi 60 për qind e tokës së Kosovës tani për tani nuk punohet, ndërkohë që tregu i ynë mbi 80 për qind është i varur nga importi. Ky realitet antizhvillimor duhet patjetër të përmbyset në favor të fermerit vendor, në favor të prodhuesit individual dhe në favor të ekspertit i cili nuk duhet të mendojë të ikë jashtë për të marrë një pagë të dinjitetshme.
Për fëmijët e Kosovës, për ardhmërinë tonë të përbashkët ia vlen të provojmë një stil tjetër bashkëqeverisjeje, duke flakur të gjitha recidivat negativë të së kaluarës, kur njerëzit kreativë zëvendësoheshin me ushtarë partiakë.
Prishtinë, 22 gusht