Stinori pranveror fillon me duele shumë interesante
Në mesjavë zhvillohet xhiroja e tetë në Ligën Unike në konkurrencën e meshkujve, që është e para për stinorin pranveror.
Sfida e parë zhvillohet në mes të Pejës dhe Teutës së Durrësit. Ky është një nga takimet më interesante në këtë xhiro për shkak se pejanët kanë pesë fitore dhe dy humbje, kurse durrsakët katër fitore dhe tri humbje. Në takimin e parë në mes të këtyre dy skuadrave fitore kishin shënuar verdhezinjtë 73:82. Lideri dhe kampioni Golden Eagle Ylli do të sfidohet nga Vllaznia e Shkodrës.
Therandasit kanë gjashtë fitore dhe një humbje, ndërsa shkodranët një fitore dhe gjashtë humbje. Përballje e barabartë shihet ndërmjet Rahovecit dhe Neptun Tiranës. Vreshtarët u këndellen me dy fitore, ndërsa kanë edhe pesë humbje, kurse kryeqytetasit e Shqipërisë kanë katër fitore dhe tri humbje. Tiranasit kishin fituar duelin e parë 79:74, raporton “Epoka e re”.
Dueli i fundit i xhiros është mes Kamza Basket dhe Prizrenit 16. Në sfidën e parë kishte fituar skuadra nga Kamza me rezultat 91:96. Kamza ka dy fitore dhe pesë humbje, kurse prizrenasit kanë katër fitore dhe tri humbje.
Liga Unike – Java 8
Të martën takohen:
17:00 Peja – Teuta
19:00 Golden Eagle Ylli – Vllaznia
Të mërkurën takohen:
17:00 Rahoveci – Tirana Neptun
19:00 Kamza – Prizreni 16