Stinori pranveror i Superligës në futboll nis më 7 shkurt
Komisioni Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës, e ka mbajtur mbledhjen e radhës nën drejtimin e presidentit Agim Ademi, ku u diskutuan një sërë çështjesh të rëndësishme.
Ndër pikat kryesore të mbledhjes ishte edhe fillimi i stinorit pranveror, ku sipas planprogramit Albi Mall Superliga do të nisë më 7 shkurt, ndërsa Liga e Parë më 15 shkurt.
“Me këtë rast u konstatua se FFK, me të gjitha organet e saj, tashmë i ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura për vazhdimin e garave, ndërsa ekipet janë në përfundim të fazës përgatitore. KE i FFK-së me këtë rast u uron suksese të gjitha klubeve dhe kërkon që të mbizotërojë fryma e ‘fair-play’-it, teksa garanton garë të drejtë dhe rregullsi maksimale”, thuhet në njoftimin e Federatës së Futbollit të Kosovës.
Në këtë mbledhje u diskutua gjithashtu për Kuvendin e Rregullt të Punës, i cili do të mbahet më 5 shkurt, ku u konstatua se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura dhe materiali i kuvendit është shpërndarë në kohën e paraparë.
KE miratoi raportin e auditorit të pavarur, i cili konstatoi transparencë dhe llogaridhënie në punën e FFK-së.
U diskutua edhe për procesin zgjedhor në Lidhjet Rajonale të Futbollit, i cili përfundoi me sukses si dhe për reformat që tashmë e presin administratën e LRF-ve. KE theksoi rëndësinë e riorganizimit dhe dixhitalizimit të këtyre strukturave, në përputhje me standardet moderne të menaxhimit të futbollit.
Në aspektin infrastrukturor, KE shqyrtoi projektet e reja dhe nevojat për klubet dhe rajonet në ndërtimin e fushave të reja. U vlerësua se vazhdimi i investimeve është tejet i rëndësishëm për zhvillimin e mëtejmë të futbollit në Kosovë.
Komiteti Ekzekutiv, i analizoi edhe punët në Departamentin e Edukimit, ku u vlerësua si shumë i suksesshëm edicioni i parë i kursit të Licencës A për trajnerë, ndërsa u cilësua lajm i rëndësishëm aprovimi nga UEFA i fillimit të kurseve të Licencës B për trajnerët atletikë.